Gjykata e Lartë në Podgoricë: Padia për shpalljen të pavlefshme të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe — e papranueshme
Konfirmohet vendimi i Gjykatës Themelore; Eparkisë podgoricë-dukliane iu hodh poshtë edhe pretendimi për diskriminim fetar dhe kërkesa për dëmshpërblim.
Gjykata e Lartë (Viši sud) në Podgoricë hodhi poshtë si të pabazuar apelimin e Eparkisë podgoricë-dukliane të Kishës Ortodokse të Malit të Zi dhe konfirmoi vendimin e Gjykatës Themelore, e cila e kishte hedhur poshtë si të palejueshme padinë për shpalljen të pavlefshme të Marrëveshjes Themelore (Temeljni ugovor) ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe (KOS). Gjykata hodhi poshtë edhe pretendimin për diskriminim për shkak të fesë dhe kërkesat për dëmshpërblim material e jomaterial.
Vendimi i shkallës së dytë u mor më 8 shtator 2026. Gjykata Themelore e Podgoricës, më 22 korrik 2024, kishte hedhur poshtë padinë, kishte refuzuar pretendimin për diskriminim si dhe kërkesat për ndalimin e veprimeve diskriminuese dhe për dëmshpërblim. Paditësja, e cila përfaqësohej nga avokati Lav Lajoviq, u detyrua t’i paguante nga 450 euro shpenzime gjyqësore shtetit të Malit të Zi (Qeverisë) dhe Kishës Ortodokse Serbe — dy të paditurit në këtë proces.
Marrëveshja Themelore u nënshkrua më 3 gusht 2022 në Vila Gorica në Podgoricë, nga kryeministri i atëhershëm Dritan Abazoviq dhe patriarku i KOS-it, Porfirije. Vetëm 17 ditë më vonë, Parlamenti votoi mosbesimin ndaj qeverisë së Abazoviqit.
Gjykata e Lartë pranoi qëndrimin e gjykatës së shkallës së parë: Marrëveshja nuk ishte lidhur sipas Ligjit për marrëdhëniet e detyrimeve, por mbi bazën e autorizimit që Qeveria ka sipas Ligjit për lirinë e fesë. Ajo përmban tiparet dominuese të një akti juridik të përgjithshëm — norma të përgjithshme dhe abstrakte që rregullojnë të drejtat dhe detyrimet e bashkësisë fetare. Ligjshmërinë e një akti të tillë, sipas gjykatës, mund ta kontrollojë vetëm Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi — dhe Kushtetuesja e kishte shqyrtuar tashmë Marrëveshjen, duke hedhur poshtë në prill 2024 propozimet për antikushtetutshmërinë dhe paligjshmërinë e saj.
Eparkia nuk paraqiti prova që do ta bënin të besueshme pretendimin se ishte diskriminuar për shkak të fesë apo bindjeve. Sipas gjykatës, sporet pronësore zgjidhen në gjykatat e rregullta sipas Ligjit për lirinë e fesë; shteti nuk ia transferon automatikisht KOS-it pronën që mban aktualisht; shërbesat fetare në mbi 40 objekte ortodokse që nuk janë në pronësi të shtetit mbrohen në procedurë të veçantë gjyqësore. Gjithashtu, Eparkia si organizatë fetare mund të kërkonte vetë lidhjen e një marrëveshjeje me shtetin, por nuk e bëri — prandaj nuk u vu në pozitë të pabarabartë ndaj KOS-it.
Neni 7 i Marrëveshjes parashikon që shteti angazhohet, sipas rendit të tij juridik, të regjistrojë të gjitha pronat e paluajtshme të paregjistruara në pronësi të Mitropolisë malazezo-bregdetare dhe eparkive të KOS-it. Gjykata Kushtetuese kishte vlerësuar më herët se kjo dispozitë nuk lejon abuzim të së drejtës dhe nuk i jep KOS-it të drejta më të mëdha.
Burimi: Vijesti



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.