Gonxhja: Muzeu Etnografik i Vlorës nuk tjetërsohet, por do të restaurohet. Muzeu Hebraik është godinë tjetër
Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka reaguar lidhur me deklaratat e bëra në rrjete sociale lidhur me Muzeun Etnografik të Vlorës dhe pretendimet se godina historike e Klubit Patriotik “Labëria” do të kthehet në muze hebraik.
Gonxhja i cilëson këto pretendime të pavërteta dhe thekson se godina ku u themelua Klubi Patriotik “Labëria” nuk do të tjetërsohet, nuk do të ndryshojë destinacion dhe nuk do t’i hiqet Bashkisë së Vlorës.
Sipas ministrit, godina do të vijojë të funksionojë si Muzeu Etnografik i Vlorës dhe pritet të restaurohet e muzealizohet, duke ruajtur historinë dhe simbolikën e saj patriotike.
“Godina historike ku, në vitin 1908, u themelua Klubi Patriotik “Labëria”, nuk do të kthehet në muze hebraik, nuk do të tjetërsohet dhe nuk do t’i hiqet Bashkisë Vlorë. Ajo godinë do të vazhdojë të jetë Muzeu Etnografik i Vlorës dhe do të restaurohet e muzealizohet duke ruajtur historinë, identitetin dhe simbolikën e saj patriotike. E drejta për të protestuar është e padiskutueshme, por historia e Vlorës nuk mund të mbrohet me lajme të sajuara, gjuhë urrejtjeje dhe përçarje. Faktet janë të qarta: Muzeu Etnografik nuk po tjetërsohet, nuk po ndryshon destinacion, por do të rijetëzohet si një hapësirë bashkëkohore dhe e denjë për historinë e Vlorës”, tha Gonxhja.
Ai sqaron se Muzeu Hebraik po realizohet në një tjetër godinë, e cila ndodhet pranë Muzeut Etnografik. Sipas tij, bëhet fjalë për dy pasuri kulturore të regjistruara veçmas dhe për dy projekte të ndryshme.
Gonxhja sjell në vëmendje edhe një dokument të Këshillit Bashkiak të Vlorës, ku kjo çështje, sipas tij, është sqaruar që më 13 mars 2024, gjatë diskutimit të projektit për Muzeun Hebraik.
“Godina e Muzeut Etnografik të Vlorës, është monument kulture dhe mban zyrtarisht emërtimin “Banesa ku në vitin 1908 u ngrit Klubi Patriotik ‘Labëria’”. Muzeu Hebraik po realizohet në një tjetër godinë, monument kulture, e regjistruar si “Banesa pranë Klubit Labëria”. Dhe këto nuk janë fakte që po i bëjmë publike sot, si përgjigje ndaj tymnajës së radhës. Janë fakte të dokumentuara, të komunikuara dhe publike prej kohësh. Madje, që më 13 mars 2024, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Vlorës ku është diskutuar projekti i Muzeut Hebraik, kjo çështje është ngritur dhe sqaruar shprehimisht. Në procesverbalin zyrtar të asaj mbledhjeje evidentohet qartë se Muzeu Etnografik nuk do të preket, se ndërhyrja i përket banesës ngjitur dhe se “vetë Klubi Labëria, nuk do të preket”. Pra, ky sqarim është bërë publik institucionalisht më shumë se dy vjet më parë, pikërisht në Këshillin Bashkiak të Vlorës. Dokumentet kanë qenë aty, faktet kanë qenë aty dhe dallimi mes dy godinave ka qenë i qartë që në procesin e vendimmarrjes.
Ndaj këtu nuk kemi dy versione të së njëjtës histori. Kemi fakte të dokumentuara dhe publike prej kohësh, përballë një përpjekjeje të sotme për t’i shtrembëruar ato. Por ka edhe një fakt tjetër që ata që sot shpallin rrezikun e “fshirjes së historisë së Vlorës” zgjedhin të mos e thonë: godina e Klubit “Labëria” jo vetëm nuk preket, por do të restaurohet dhe rijetëzohet. Faktet janë të qarta: Muzeu Etnografik nuk po tjetërsohet, nuk po ndryshon destinacion dhe nuk po i hiqet Bashkisë Vlorë”, tha Gonxhja.
Ministri e konsideron debatin e krijuar si një rast ku historia po përdoret për të prodhuar frikë dhe përçarje.
“Ka një ndryshim të madh mes mbrojtjes së historisë dhe përdorimit të historisë për të prodhuar frikë, ndasi dhe dezinformim. Tymnajat e ngritura këto ditë rreth Muzeut Hebraik në Vlorë nuk kanë asnjë lidhje me faktet. Përkundrazi, ndërtohen mbi një të pavërtetë lehtësisht të verifikueshme: pretendimin se Muzeu Hebraik po ngrihet në godinën e Klubit Patriotik “Labëria”, gjë që nuk është e vërtetë. De facto dhe de jure, bëhet fjalë për dy godina të ndryshme, dy pasuri kulturore të regjistruara veçmas dhe dy projekte të ndryshme”, tha ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.