🌦️
Tiranë 17°C · Rrebesh i lehtë 18 Nëntor 2026
S&P 500 7,334 ▼0.09%
DOW 50,325 ▼0.86%
NASDAQ 24,431 ▲0.42%
NAFTA 81.66 ▼3.53%
ARI 3,742 ▼3.16%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.0999 EUR/GBP 0.8330 EUR/CHF 0.9242 EUR/ALL 90.5258 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6616 EUR/TRY 55.4619 EUR/JPY 175.28 EUR/CAD 1.5720 EUR/USD 1.0999 EUR/GBP 0.8330 EUR/CHF 0.9242 EUR/ALL 90.5258 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6616 EUR/TRY 55.4619 EUR/JPY 175.28 EUR/CAD 1.5720
₿ CRYPTO
BTC $63,087 ▼ -1.19% ETH $1,768 ▼ -1.08% XRP $0.9764 ▲ +1.85% SOL $73.4600 ▲ +1.56%
S&P 500 7,334 ▼0.09 % DOW 50,325 ▼0.86 % NASDAQ 24,431 ▲0.42 % NAFTA 81.66 ▼3.53 % ARI 3,742 ▼3.16 % S&P 500 7,334 ▼0.09 % DOW 50,325 ▼0.86 % NASDAQ 24,431 ▲0.42 % NAFTA 81.66 ▼3.53 % ARI 3,742 ▼3.16 %
EUR/USD 1.0999 EUR/GBP 0.8330 EUR/CHF 0.9242 EUR/ALL 90.5258 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6616 EUR/TRY 55.4619 EUR/JPY 175.28 EUR/CAD 1.5720 EUR/USD 1.0999 EUR/GBP 0.8330 EUR/CHF 0.9242 EUR/ALL 90.5258 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6616 EUR/TRY 55.4619 EUR/JPY 175.28 EUR/CAD 1.5720
18 Nën 2026
Breaking
Arte

Gonxhja: Zgjerimi i rrjetit kombëtar të muzeve dhe turizmi gjithëvjetor, prioritete në 2027-ën

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja deklaroi sot se zgjerimi i rrjetit kombëtar të muzeve mbetet prioritet për vitin 2027, ndërsa synohet po ashtu edhe konsolidimi i Shqipërisë si një destinacion konkurrues turistik gjatë gjithë vitit.

Gjatë diskutimit në Kuvend të projektbuxhetit 2027, Gonxhja u shpreh se ai mbështet zhvillimin socio-ekonomik, fuqizimin e identitetit tonë kombëtar dhe zgjerimin e mundësive për qytetarët, me një vëmendje të veçantë ndaj të rinjve, mirëqenies së komuniteteve vendore dhe zhvillimit të qëndrueshëm të territorit.

“Turizmi, kultura, trashëgimia, sporti dhe rinia janë fusha që krijojnë vlerë të kthyeshme, punësim cilësor, sipërmarrje, jetesë aktive, ulje të kostove sociale, rezistencë ndaj emigracionit, edukim, ndaj investimi në këta sektorë është një investim në zhvillimin afatgjatë të vendit.

Projektbuxheti i Ministrisë për vitin 2027 arrin në 7,65 miliardë lekë, me një rritje prej 3,5% krahasuar me vitin 2026. Brenda këtij buxheti, 2,74 miliardë lekë janë parashikuar për investime publike, duke vijuar projektet madhore dhe duke krijuar hapësirë për ndërhyrje të reja”, theksoi ai.

Një tregues i rëndësishëm, sipas ministrit, është rritja e financimit për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, programi i të cilëve arrin në 2,08 miliardë lekë, ose 80% më shumë se një vit më parë.

“Kjo rritje shoqërohet me një orientim të qartë drejt investimeve, shpëtimit, rindërtimit e restaurimit, konservimit dhe rijetëzimit të pasurive tona kulturore. Në fushën e trashëgimisë kulturore, Shqipëria po kalon nga ruajtja e monumenteve si pasuri fizike, drejt zhvillimit të tyre si pjesë aktive e arkitekturës së ekonomisë, turizmit dhe jetës së komuniteteve. Të dhënat e vizitueshmërisë e dëshmojnë këtë potencial. Nga rreth 325 mijë vizitorë në vitin 2013, sitet e trashëgimisë kulturore kanë kaluar në mbi 1,5 milionë vizitorë në vitin 2025. Vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 2026 janë regjistruar mbi 1,32 milionë vizitorë dhe mbi 528 milionë lekë të ardhura, ose mbi 10-fishi krahasuar me 2013-ën”, theksoi ai.

Për vitin 2027, Ministri theksoi se prioritet është transformimi i Muzeut Historik Kombëtar, përfundimi i ndërhyrjeve në monumente dhe site arkeologjike, si dhe zgjerimi i Rrjetit Kombëtar të Muzeve, me nisjen e ndërhyrjeve në dhjetë objekte prioritare.

“Do të vijojë gjithashtu programi i shpëtimit të banesave private monument kulture, me synimin për të ndërhyrë duke filluar nga Gjirokastra dhe Shkodra, si dhe me rijetësimin e kullave tradicionale. Këto investime synojnë që trashëgimia të mos mbetet vetëm një destinacion për t’u vizituar, por të kthehet në një mundësi zhvillimi për ekonominë lokale, artizanatin, sipërmarrjen dhe punësimi”, shtoi ai.

Gonxhja theksoi se në fushën e artit dhe kulturës, projektbuxheti parashikon 3,37 miliardë lekë për programin përkatës, nga të cilat rreth 1,5 miliardë lekë orientohen drejt investimeve publike.

“Fondi për projektet dhe programet artistike arrin në 495,9 milionë lekë, me një rritje prej 21,7% krahasuar me vitin 2026. Ky financim mbështet krijimtarinë e pavarur, artistët, organizatat kulturore dhe prodhimin e veprave të reja. Një vëmendje e veçantë i kushtohet institucioneve kombëtare të artit dhe kulturës. Financimi që vihet në dispozicion të tyre në fillim të vitit parashikohet të kalojë 200 milionë lekë në vitin 2027, nga 47,3 milionë lekë në janar 2024. Kjo u krijon institucioneve mundësi më të mira për planifikimin e programacionit, prodhimin artistik, angazhimin dhe motivimin e më shumë të rinjve dhe komunikimin me publikun”, shtoi ai.

Në të njëjtën kohë, Ministri theksoi se po vijojnë investimet për përfundimin e Galerisë Kombëtare të Arteve të zgjeruar dhe të Qendrës së re Kombëtare Kulturore për Fëmijë, rijetëzimin e shtatë kinemave publike në 7 bashki dhe avancimin e projektit të Teatrit të ri Kombëtar.

Në fushën e turizmit, Gonxhja theksoi se objektiv është konsolidimi i Shqipërisë si një destinacion konkurrues gjatë gjithë vitit.

“Për vitin 2027, programi i zhvillimit të turizmit mbështetet me 848,5 milionë lekë. Prioritetet përfshijnë promovimin ndërkombëtar, zhvillimin e turizmit kulturor, malor, rural dhe natyror, organizimin e eventeve të nivelit global si dhe mbështetjen e sipërmarrjeve dhe aktorëve lokalë.

Një risi e rëndësishme është transformimi digjital i sektorit përmes platformës “eVisitor”, aplikacionit kombëtar për turistët dhe sistemit të biletarisë elektronike për muzetë, parqet arkeologjike dhe sitet e trashëgimisë. Këto instrumente do të përmirësojnë informacionin, aksesin, administrimin dhe planifikimin mbi bazën e të dhënave reale”, u shpreh Gonxhja.

Ndërsa në fushën e sportit, Gonxhja nënvizoi se politikat për vitin 2027 synojnë njëkohësisht mbështetjen e sportit elitar dhe masivizimin e aktivitetit fizik.

“Për vitin 2027 do të vijojë mbështetja për federatat, sportistët elitarë dhe trajnerët, përgatitjen e ekipeve kombëtare dhe organizimin e aktiviteteve ndërkombëtare. Një prioritet i veçantë është organizimi i Kampionatit Europian UEFA U-21, si dhe zgjerimi i sportit shkollor me theks mirëkoordinimin dhe administrimin transparent të programit”, u shpreh ai.

Buxheti 2027, sipas Ministrit synon po ashtu të krijojë më shumë hapësira dhe mundësi konkrete për të rinjtë në të gjithë vendin duke mbështetur programe për zhvillimin e aftësive dhe fuqizimin e rrjeteve rinore.

“Në këtë kuadër, RinCamp 2027 do të mbledhë 200 të rinj nga Shqipëria dhe vendet e rajonit, për të nxitur dialogun, bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre në proceset e integrimit evropian. Do të vijojë gjithashtu puna përmes programeve si EU4Youth, Garancia Rinore, EMPOWERHER dhe VOICE 2 YOUTH ALBANIA, që adresojnë punësimin, formimin profesional, aftësitë digjitale dhe sipërmarrjen, me vëmendje të veçantë ndaj vajzave dhe të rinjve në zonat rurale”, u shpreh Gonxhja.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.