Greqi, dështon kreu i opozitës për qeveri të re. Mandati, tashmë te Lafazanis
Kreu i partisë “Demokracia e Re”, më e madhja e opozitës greke, Vangelis Meimarakis ia ka rikthyer Presidentit të Greqisë mandatin, dhënë atij në përpjekje për të formuar një qeveri të re, për shkak se dështoi ta bënte diçka të tillë pas dorëheqjes së kryeministrit Alexis Tsipras javën e kaluar.
Presidenti Prokopis Pavlopoulos pritet t’ia japë mandatin udhëheqësit të majtë, Panagiotis Lafazanis, në një tjetër përpjekje për të krijuar qeveri, një politikan ky që u largua nga radikalët e majtë të Syrizas javën e kaluar, duke formuar një parti të re parlamentare.
Politikani i ekstremit të majtë ka aktualisht grupin e tretë më të madh parlamentar në Kuvendin grek, pas krijimit të partisë së “Unitetit Popullor”. Ai ka qenë edhe ministër i Energjisë, përpara se të kundërshtonte ashpër marrëveshjen e masave shtrënguese kundrejt ndihmës së tretë të shpëtimit për Greqinë nga huadhënësit ndërkombëtarë, gjë që bëri që të largohej nga partia në pushtet që prej janarit, së bashku me disa të tjerë.