Gucati nuk e lejon Baljen të dalë nga Kuvendi: Na vjen keq, me dalë nuk ban hiç!
Protestuesit që po qëndrojnë para dhe në oborrin e Kuvendit të Kosovës kanë vazhduar edhe sot të pengojnë deputetët të dalin nga objekti, duke kërkuar votimin në lexim të dytë të Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në një moment, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, nuk e ka lejuar deputeten Duda Balje të largohet nga oborri i Kuvendit.
“Na vjen keq, me dalë nuk ban hiç!”, dëgjohet duke i thënë Gucati deputetes në një video të Kallxo.com.
Balje, deputete e komunitetit boshnjak, më pas është kthyer pa kundërshtuar, ndërsa protestuesit kanë vazhduar të qëndrojnë në hapësirat e Kuvendit.
Kërkesa kryesore e protestuesve është që Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të procedohet dhe të miratohet edhe në lexim të dytë. Kuvendi e miratoi të hënën, me 91 vota për, në lexim të parë, Projektligjin për ndryshimin e këtij ligji./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.