Haradinaj: Procesin gjyqësor nuk duhet ta zhbëjmë, por duhet ta fitojmë
Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka kërkuar bashkim të institucioneve dhe partive politike për hapat që duhet të ndërmerren pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Në një intervistë për Radio Dukagjinin, Haradinaj ka thënë se institucionet dhe deputetët duhet t’i kryejnë obligimet e tyre kushtetuese, ndërsa ka theksuar se synimi nuk duhet të jetë zhbërja e procesit gjyqësor, por përballja me të dhe mbështetja e të akuzuarve.
“Ne nuk mendojmë që procesin gjyqësor me e zhbë, por procesin gjyqësor ne duhet ta fitojmë dhe po ashtu duhet t’i themi vërejtjet tona se kjo Gjykatë e ka keqpërdorur besimin që ne ia kemi dhënë”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka thënë se çdo iniciativë, përfshirë sigurimin e buxhetit për mbështetjen ligjore, kërkon koordinim dhe unitet politik.
“Edhe për t’u siguruar buxheti, edhe për t’u marr çfarëdo iniciative, ata duhet të tregohen unikë dhe të bashkohen në këtë pikë. Pa bashkim, pa unifikim nuk mund të nisë asnjë proces, nuk mund të lëvizet asnjë gur”, ka thënë ai.
Duke folur për protestat “Jo në emrin tim”, Haradinaj ka kërkuar që ato të mos shfrytëzohen për interesa partiake, por të mbeten të bashkuara rreth kërkesave të tyre.
“Ne kemi nevojë të bëhemi bashkë që t’i dalim zot fyerjes së dinjitetit që na është bërë si komb, t’u dalim zot të gjithë atyre që sot i kemi nëpër përmendore, eshtrave që ende i kemi të zhdukur nga lufta dhe gjakut të derdhur”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka bërë thirrje që institucionet, partitë politike dhe qytetarët të fokusohen në hapat që mund të ndërmerren në vazhdim, në vend se përgjegjësinë për situatën t’ia atribuojnë njëri-tjetrit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.