Organizatat e dala nga lufta ndërpresin bashkëpunimin me Komunën e Drenasit, reagon Lladrovci
Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – dega në Drenas kanë njoftuar më 2 tetor se ndërpresin bashkëpunimin institucional me Komunën e Drenasit, siç shkruan Klan Kosova, duke e arsyetuar vendimin me mungesën e vazhdueshme të bashkëpunimit dhe mbështetjes nga institucionet komunale.
Në njoftimin e tyre, OVL, SHFD dhe SHIL në Drenas shprehen se për vite me radhë janë përjashtuar nga aktivitetet dhe mbledhjet solemne për data të rëndësishme, përfshirë 17 Shkurtin, 5, 6 dhe 7 Marsin, si dhe 14 Qershorin – Ditën e Çlirimit. “Ne jemi të përjashtuar nga secili aktivitet duke mos afruar asnjë bashkëpunim, asnjë ndihmë dhe asnjë përkrahje”, citohet në njoftim, i cili është nënshkruar dhe vulosur nga përfaqësuesit e organizatave.
Organizatat pretendojnë se kërkesat e adresuara në Komunë janë refuzuar ose kanë mbetur pa përgjigje, ndërsa rreth 50 organizata joqeveritare përfitojnë forma të ndryshme të mbështetjes komunale. Në njoftim përmendet edhe “moslejimi dhe pengimi për shfrytëzimin e trojeve”. Ato u kanë kërkuar falje familjeve të dëshmorëve, veteranëve, invalidëve të luftës dhe qytetarëve, duke thënë se nuk mund ta vazhdojnë bashkëpunimin me një institucion që, sipas tyre, i përjashton dhe i pengon.
Ndaj këtij zhvillimi ka reaguar kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ka thënë se Komuna e ka vlerësuar dhe vazhdon ta vlerësojë kontributin e shoqatave të dala nga lufta. “Kontributi i shoqatave të dala nga lufta çlirimtare, është vlerësuar nga Komuna e Drenasit. Unë e kam vlerësuar dhe vlerësoj secilën familje të dëshmorëve, martirëve dhe të pagjeturve, ashtu sikur edhe çdo invalid e veteran të UÇK-së”, ka thënë Lladrovci për Klan Kosovën.
Ai ka theksuar se shoqatat janë të ndara nga pushteti lokal, i zgjedhur nga vota e qytetarit, dhe se shoqatat që përfitojnë fonde publike i nënshtrohen procedurave të aplikimit, kontrollit dhe mbikëqyrjes. “Shoqatat e dala nga lufta, nuk pres të jenë pjesë e agjendave të ndonjë individi apo grupi. Nuk i nënshtrohem shantazheve e as deklaratave nga fushatat politike”, ka deklaruar Lladrovci, duke shtuar se Komuna ofron zyra falas për shoqatat e dala nga lufta.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.