Haxhiu pas vendimit të Hagës: Në Kuvend nuk ka ardhur asnjë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme
Kryetarja e Kuvendit thotë se për seancë të jashtëzakonshme duhen nënshkrimet e 40 deputetëve dhe u bën thirrje grupeve parlamentare që të mos ndërmarrin nisma ligjore "vetëm sa për t'u dukur".
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se në Kuvend nuk është dorëzuar asnjë kërkesë për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ajo tha se ka marrë kritika për mos thirrjen e një seance të tillë, por sqaroi se sipas rregullores së Kuvendit kryetarja nuk ka të drejtë të thërrasë seanca të jashtëzakonshme — ato mund t’i thërrasin 40 deputetë nënshkrues, dhe sapo të vijë një kërkesë e tillë do ta procedojë “menjëherë dhe pa vonesa”.
Foli edhe për projektligjin e proceduar nga grupi parlamentar i PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara: theksoi se institucionet dhe grupet parlamentare duhet të jenë të kujdesshme, të konsultojnë ekspertët e fushës dhe ekipet mbrojtëse për çdo iniciativë ligjore. “Refuzoj të mbështes çfarëdo iniciative që ka për qëllim vetëm me u duk që po bëjmë diçka”, tha ajo.
E pyetur për refuzimin e familjarëve të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, për t’u takuar në institucion pas vendimit të Kuvendit, Haxhiu tha se respekton vendimin e tyre dhe është e gatshme t’i presë në çdo moment ose të shkojë në vizita familjare.
E pyetur pse nuk merr pjesë në protestat që po mbahen në Prishtinë, u përgjigj: “Ne drejtojmë sot institucione të Republikës së Kosovës… Unë mbështes protestat qytetare.”
Burimi: KosovaPress



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.