Helen Mirren nderohet me çmimin “Douglas Sirk” në Festivalin e Filmit në Hamburg
HAMBURG, 29 shtator /ATSH-DPA/- Aktorja britanike dhe fituese e çmimit “Oscar”, Helen Mirren u nderua sot me çmimin “Douglas Sirk” në edicionin e 34-t të Festivalit të Filmit në Hamburg.
Mirren u nderua me çmimin në skenën e kinemasë “CinemaxX” në Hamburg, gjatë premierës gjermane të filmit të saj të ri “A Talent for Murder”.
Çmimi “Douglas Sirk” jepet që nga viti 1995 për personalitete që kanë dhënë një kontribut të veçantë në kinematografi dhe industrinë e filmit.
Sipas festivalit, Mirren nderohet për karrierën e saj më shumë se gjashtë dekada në teatër, televizion dhe kinema.
Gjatë karrierës së saj, Mirren ka interpretuar role të shumta, ndër të cilat spikat ai i mbretëreshës Elizabeth II në filmin “The Queen” të vitit 2006.
Për këtë rol ajo fitoi çmimin “Oscar” për aktoren më të mirë.
Ajo u bë gjithashtu shumë e njohur për rolin e hetueses, Jane Tennison në serialin britanik “Prime Suspect”, rol që e interpretoi nga viti 1991 deri në vitin 2006.
Në filmin e ri “A Talent for Murder”, me regji të Anton Corbijn, Mirren luan rolin e shkrimtares së njohur amerikane të romaneve kriminale Patricia Highsmith.
Filmi bazohet në historinë e Highsmith dhe në personazhin e saj të famshëm Tom Ripley.
Festivali i Filmit në Hamburg zhvillohet nga 24 shtatori deri më 3 tetor dhe këtë vit prezanton më shumë se 120 filma nga vende të ndryshme të botës. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.