Hetimi për kampet e emigrantëve në Shqipëri fiton çmim europian gazetaresk
Një hetim gazetaresk mbi qendrat e pritjes dhe ndalimit të emigrantëve të ngritura nga Italia në Shqipëri ka fituar çmimin Caruana Galizia, të akorduar nga Parlamenti Evropian në nder të gazetares malteze Daphne Caruana Galizia, e vrarë në vitin 2017 për shkak të punës së saj investigative.
Hetimi është realizuar nga gazetarët Giacomo Zandonini dhe Maite Vermeulen për platformën De Correspondent dhe shqyrton funksionimin e marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e emigracionit të parregullt dhe kthimin e emigrantëve.
Reportazhi vë në dukje problemet e modelit të qendrave të refugjatëve në Shqipëri, duke ngritur shqetësime për respektimin e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit dhe transparencën institucionale. Sipas autorëve, emigrantët transferohen në qendra të administruara nga Italia në territorin shqiptar, ndërsa zbatimi i marrëveshjes është shoqëruar me kundërshtime gjyqësore dhe debate të forta politike. Hetimi kritikon gjithashtu reagimet e qeverisë italiane ndaj gjyqtarëve që kanë vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e ndalimit të emigrantëve.
Çmimi u dorëzua në Strasburg nga një juri e pavarur, e përbërë nga gazetarë të vendeve të Bashkimit Evropian. Në ceremoni morën pjesë presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe zëvendëspresidentja Pina Picierno, përgjegjëse për çmimin. Metsola theksoi rëndësinë e mbrojtjes së gazetarëve, lirisë së shtypit dhe luftës për drejtësi, duke kujtuar trashëgiminë e Daphne Caruana Galizias.
Hetimi u përzgjodh mes 344 kandidaturave. Për 18 muaj, Zandonini dhe Vermeulen mblodhën dokumente dhe dëshmi për të rindërtuar mënyrën se si funksionon marrëveshja mes Romës dhe Tiranës. Ata paraqitën më shumë se 30 kërkesa për informacion në gjashtë vende evropiane, duke iu drejtuar edhe Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe agjencisë Frontex.
Gjatë punës së tyre, gazetarët u përballën me pengesa të konsiderueshme. Atyre iu mohua hyrja në qendrat e administruara nga Italia në Shqipëri, ndërsa të dhëna bazë, përfshirë numrin e personave të mbajtur në këto struktura, mbetën konfidenciale. Hetimi zbuloi gjithashtu se shpenzimet ishin kryer përmes procedurave emergjente, duke anashkaluar procedurat e zakonshme të prokurimit publik, dhe se personelit i ishte kërkuar të nënshkruante marrëveshje konfidencialiteti.
Çmimi Caruana Galizia vlerëson kështu një punë investigative që synon të hedhë dritë mbi pasojat e marrëveshjes Itali–Shqipëri për emigracionin dhe të nxisë debat mbi përgjegjësinë institucionale, transparencën dhe mbrojtjen e të drejtave themelore në Evropë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.