I jepet lamtumira e fundit Arlinda Zekajt, djali 12-vjeçar merr pjesë në varrimin e nënës
Me pjesëmarrjen e një numri të madh qytetarësh, familjarësh dhe miqsh, është mbajtur ceremonia e varrimit të Arlinda Zekajt, e cila u vra të dielën, ndërsa i dyshuar për krimin është kunati i saj.
Ceremonia e varrimit u zhvillua në fshatin Radafc të Pejës, ku familjarët dhe të pranishmit i dhanë lamtumirën e fundit të ndjerës.
Në varrim mori pjesë edhe djali i saj 12-vjeçar, i cili u shoqërua nga Policia për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të nënës.
Gjatë ceremonisë, hoxha njoftoi se familja nuk do të organizojë të pame për të ndjerën.
Ndërkohë, lidhur me rastin e Arlinda Zekaj-Sylajt, Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka nxjerrë tri vendime për ricaktimin e lëndëve penale nga Prokuroria Themelore në Pejë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, vendimet janë marrë në mbështetje të nenit 20, paragrafi 2, të Ligjit për Prokurorin e Shtetit, duke marrë parasysh rëndësinë e veçantë të këtyre çështjeve, pasojat e rënda dhe nevojën për trajtim efikas, objektiv dhe të paanshëm.
“Ricaktimi i këtyre lëndëve synon të sigurojë që ato të trajtohen me kujdesin, vëmendjen dhe seriozitetin e duhur, në përputhje me ligjin dhe me rëndësinë e rrethanave të secilit rast”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se është duke analizuar në mënyrë të gjithanshme veprimet dhe mosveprimet eventuale institucionale lidhur me trajtimin e rasteve që ishin raportuar më parë nga e ndjera.
Ky proces synon të shqyrtojë mënyrën se si institucionet kompetente i kanë trajtuar rastet e raportuara nga Arlinda Zekaj-Sylaj./Telegrafi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.