MINISTRIA E ADMINISTRATËS PUBLIKE PROPOZON PËRBËRJEN E KOMISIONIT TË ARBITRAZHIT PËR CAKTIMIN E KUFIJVE MES PODGORICËS DHE TUZIT
Foto: RTCG
Ministria e Administratës Publike ka propozuar përbërjen e Komisionit të Arbitrazhit për përcaktimin e kufijve territorialë dhe ndarjen e pasurisë ndërmjet Kryeqytetit të Podgoricës dhe Komunës së Tuzit.
Për kryetar të Komisionit është propozuar Anton Markiq, ish-gjyqtar dhe avokat me përvojë shumëvjeçare, ndërsa për përfaqësuese të Qeverisë është propozuar juristja Marija Mrvaleviq.
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, në përputhje me konkluzionet e Qeverisë së Malit të Zi, ka paraqitur propozimin për emërimin e Komisionit të Arbitrazhit, i cili pritet të zgjidhë çështjet e pazgjidhura ndërmjet Podgoricës dhe Tuzit.
Kryetari i Kryeqytetit ka propozuar që anëtarë të Komisionit të jenë Neven Goshoviq, Millan Paunoviq dhe Vesna Brajoviq, ndërsa kryetari i Komunës së Tuzit ka propozuar Nik Gjeloshaj, Emin Haxhi dhe Nermin Alibashiq.
Nga Ministria bëjnë të ditur se vëmendje të veçantë i është kushtuar përzgjedhjes së kandidatit për kryetar të Komisionit, duke marrë parasysh kompleksitetin e procedurës, kohëzgjatjen e mosmarrëveshjes dhe rëndësinë e çështjeve për të cilat do të vendoset.
“Është vlerësuar se kryetari i Komisionit duhet të jetë jurist me përvojë të konsiderueshme në zbatimin dhe interpretimin e legjislacionit pronësor-juridik, si dhe me përvojë të drejtpërdrejtë në drejtimin dhe zgjidhjen e procedurave të ndërlikuara ligjore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Për këtë arsye, për kryetar është propozuar Anton Markiq, ish-gjyqtar dhe avokat.
“Përvoja e tij përfshin vendimmarrjen në procedura civile dhe jashtëkontestimore, përfaqësimin e interesave të komunave, drejtimin e shërbimeve juridike, përfaqësimin para gjykatave ekonomike dhe organeve të arbitrazhit, si dhe praktikën shumëvjeçare si avokat në fushën e kontesteve civile dhe tregtare dhe marrëdhënieve kontraktuale”, kanë sqaruar nga Ministria.
Për përfaqësuese të Qeverisë është propozuar Marija Mrvaljeviq, juriste dhe drejtuese e Drejtorisë për Zhvillimin, Përmirësimin dhe Procedimin në Fushën e Qasjes së Lirë në Informacion.
Nga Ministria theksojnë se përbërja e propozuar e Komisionit është në përputhje me Ligjin për Organizimin Territorial të Malit të Zi dhe se anëtarët e tij janë profesionistë me përvojë të konsiderueshme.
“Presim që Qeveria ta shqyrtojë propozimin dhe ta emërojë Komisionin e Arbitrazhit, në mënyrë që çështjet e pazgjidhura ndërmjet Kryeqytetit të Podgoricës dhe Komunës së Tuzit të marrin përfundimisht zgjidhje, në përputhje me ligjin dhe në interes të të dy njësive të vetëqeverisjes lokale”, kanë deklaruar nga Ministria e Administratës Publike.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.