Punëtori humb jetën në vendin e punës në Dubravë të Istogut, dyshohet se u zu nga lifti
Viktima u dërgua pa shenja jete në QKMF-në e Istogut, ndërsa përgjegjësi i punëtorëve u dërgua në mbajtje për 48 orë.
Një punëtor ka humbur jetën në mëngjesin e sotëm në vendin e punës në fshatin Dubravë të Istogut, teksa dyshohet se është zënë nga një lift ndërsa po punonte në një objekt banimi.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, Policia është njoftuar për rastin rreth orës 08:40 dhe njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Viktima është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istog, ku ekipi mjekësor ka konstatuar se ai kishte arritur pa shenja jete. Sipas burimeve të Indeksonline, të raportuara nga disa media, viktima është Xhemë Kadriu nga fshati Kopiliq i Skenderajt.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion. Rasti është iniciuar si “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Përgjegjësi i punëtorëve është intervistuar nga Policia dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit vazhdojnë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.