Jay-Z kryeson spektaklin e Super Bowl 2027

Jay-Z do të jetë artisti kryesor i Super Bowl 2027, një prej ngjarjeve më të mëdha sportive dhe muzikore në botë.
Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga NFL, Apple Music dhe Roc Nation, duke i dhënë fund spekulimeve se reperi do të performonte vetë në skenën prestigjioze.
Spektakli do të mbahet më 14 shkurt 2027, në stadiumin SoFi në Inglewood të Kalifornisë, në kuadër të Super Bowl LXI.
Njoftimi u bë gjatë transmetimit të emisionit sportiv “Monday Night Football”, më 26 tetor.
Për këtë rast, Apple Music publikoi edhe një video promovuese bardhezi, të shoqëruar me mesazhin “GOAT’S OUT OF THE BAG”.
“Që nga Reasonable Doubt deri te skena e pushimit të Super Bowl, ky ka qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm. Tridhjetë vite muzikë, punë dhe ndikim kulturor në skenën më të madhe në botë. Ky rrugëtim vazhdon të jetë një ëndërr e bërë realitet”, u shpreh Jay-Z në deklaratën e tij.
Për reperin, kjo performancë vjen në një vit të veçantë, teksa ai po feston 30-vjetorin e albumit të tij debutues, Reasonable Doubt, si dhe 25-vjetorin e albumit The Blueprint. Gjatë këtij viti, ai ka mbajtur koncerte të mëdha në Nju Jork, Londër, Paris dhe Los Anxhelos.
Jay-Z ka pasur gjithashtu një rol të rëndësishëm në organizimin e spektaklit të pushimit të Super Bowl, përmes kompanisë së tij Roc Nation, e cila bashkëpunon me NFL që prej vitit 2019 për përzgjedhjen e artistëve dhe prodhimin e shfaqjes.
Komisioneri i NFL-së, Roger Goodell, zbuloi se kishte shpresuar prej kohësh që Jay-Z të ngjitej vetë në këtë skenë.
“Kur arritëm marrëveshjen e parë me Roc Nation për të prodhuar spektaklin, kisha vetëm një kërkesë: që një ditë Jay-Z të performonte vetë, kur të ndiente se kishte ardhur momenti i duhur”, deklaroi Goodell.
Përpara konfirmimit, në mesin e emrave që përfliteshin për spektaklin e vitit 2027 ishin edhe Miley Cyrus, Justin Bieber dhe Harry Styles.
Tani, vëmendja është përqendruar te emrat që mund t’i bashkohen reperit gjatë performancës. Një nga emrat që pritet të ngjallë më shumë interes është bashkëshortja e tij, Beyoncé, e cila ka performuar më parë në skenën e Super Bowl, si artiste kryesore në vitin 2013 dhe si e ftuar në vitin 2016.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.