NË MAL TË ZI LIROHET BENZINA, NDËRSA NAFTA SHTRENJTOHET ME NJË CENT
Foto: Ilustrim
Çmimet e benzinës Eurosuper 98 dhe 95 nga sot janë ulur përkatësisht me një dhe dy centë, ndërsa Eurodizeli dhe vaji për ngrohje janë shtrenjtuar me nga një cent, njoftoi Ministria e Energjisë dhe Minierave e Malit të Zi.
Sipas njoftimit të Ministrisë, një litër benzinë Eurosuper 98 nga sot kushton 1,85 euro, një cent më pak se më parë, ndërsa Eurosuper 95 është liruar për dy centë dhe tani kushton 1,81 euro për litër.
Ndërkohë, Eurodizeli është shtrenjtuar për një cent, duke arritur çmimin prej 1,98 euro për litër.
Po ashtu, për një cent është rritur edhe çmimi i vajit për ngrohje, i cili tani kushton 2,02 euro për litër.
“Përllogaritja e çmimeve maksimale të shitjes me pakicë të këtyre derivateve është bërë në përputhje me Vendimin për uljen e akcizës për tregtimin e vajrave të gazit, të miratuar në mbledhjen e Qeverisë, sipas të cilit akciza për eurodizelin është ulur me 20 për qind, si dhe në përputhje me Rregulloren për mënyrën e përllogaritjes së çmimeve maksimale të shitjes me pakicë të disa llojeve të derivateve të naftës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Çmimet e reja do të jenë në fuqi deri më 2 nëntor, kur do të bëhet përllogaritja e radhës.
“Përllogaritja e ardhshme do të kryhet më 2 nëntor, pas së cilës do të publikohen çmimet që do të hyjnë në fuqi më 3 nëntor 2026”, njoftoi Ministria e Energjisë dhe Minierave.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.