IBAR, një “fitore” e pompuar nga shterpësia e opozitës
Nga Mero Baze
IBAR është një hallkë në procedurën e plotësimit të hapave që Shqipëria dhe çdo vend tjetër kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian duhet të bëjë për t’i ratifikuar gjithë kapitujt e hapur. Është një hallkë teknike që është shumë e vështirë t’ua shpjegosh qytetarëve dhe të bësh politikë me të.Marrja e IBAR-it do të thotë që Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare japin një vlerësim pozitiv të ndërmjetëm për ecurinë e reformave kyçe të shtetit ligjor.
Prej disa muajsh opozita e ka bërë çështjen e IBAR-it një kalë beteje, sa dukej si një postbllok që Shqipëria nuk e kalonte dot po të mos donte Berisha. Ishte pak qesharake, se në këtë betejë morën flamurin e “informimit”, me sa duket, shumë njerëz nga opozita që kanë akses në informacion në Bruksel, apo ish-diplomatë të Edi Ramës që duan të tregojnë se i ruajnë ende lidhjet me burokratët në Bruksel dhe gati çdo ditë dëgjoje lajme rreth IBAR-it si një fatkeqësi kombëtare.
Sot të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë dhënë dritën jeshile për të vijuar me miratimin e IBAR-it. Miratimi politik i IBAR-it nga shtetet anëtare është shumë i rëndësishëm sepse konfirmon se Shqipëria ka bërë progres të mjaftueshëm në kushtet themelore, lejon hapjen ose avancimin e kapitujve të tjerë të negociatave dhe i hap rrugë konferencave ndërqeveritare të radhës me BE-në.
Kjo është rëndësia reale e tij, por nuk do ishte fundi i botës dhe po të ishte shtyrë për një fazë tjetër. Plotësimi i kushteve nga ana e Shqipërisë është një rrugë e gjatë që varet jo vetëm nga vullneti i Shqipërisë apo aftësia e burokracisë së saj, por dhe vullneti politik i shumë shteteve të BE që nuk janë në gjatësi vale rreth nevojës për zgjerim. Kështu që dhe mund të dështonim sot e të shtyhej për një afat tjetër.
Por aq shumë zhurmë është bërë për hatanë që do të ndodhte, sa duket sikur sot Shqipëria ka arritur një fitore aq të madhe sa duket sikur ka marrë një vlerësim përfundimtar për negociatat dhe jo një vlerësim të ndërmjetëm.
E gjithë kjo vetëm nga fakti se opozita u përfshi vetë me gjithë aktorët e saj, përfshi dhe shtypin, për ta kthyer këtë në një betejë pa kuptim ndaj qeverisë.
Qeveria jonë ka aq shumë probleme për t’i bërë opozitë dhe për të fituar votat e popullit, sa kjo beteja për IBAR jo vetëm që nuk hyn në vesh të asnjë shqiptari, por dhe nëse ndodhte siç ëndërronte opozita, as aq mërzitej njeri fare.
Është një banalitet që tregon shterpësinë e ideve për opozitë dhe kthimin e procesit të integrimit në një betejë politike. Tani që u krye, as Edi Rama nuk ka më shumë pikë se sa dje, por opozitës natyrisht i kanë ikur dy muaj punë kot duke bërë Kasandrën përditë, duke paralajmëruar bllokimin.
E kuptoj që opozita është marrë peng nga Berisha dhe ai e di që çdo hap drejt Bashkimit Evropian ia bën dhe më të pamundur lojën si një kryetar partie opozitar, pasi është i papranueshëm për çdo kancelari perëndimore, por të paktën këta “evropianistët” e opozitës duhet të bëjnë çmos që nëse duan të mundin Edi Ramën, duhet të ndërrojnë fushë dhe të bëjnë betejë me të nën sytë dhe mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.
Aty të paktën mund të kenë ndonjë siguri që mund të bien në sy. Se nëse mendojnë që duke bërë betejë kundër hyrjes së Shqipërisë në Evropë, ata janë duke mundur Edi Ramën, thjesht e kanë shtyrë përjetësisht fitoren ndaj tij.
Nuk mund të ankohesh që qeveria është e korruptuar, që është e lidhur me krimin, që ka përdorur pushtetin në fushata elektorale dhe të pretendosh pastaj që këtë pushtet ta mundësh duke e ndaluar të hyjë Shqipëria në Evropë. Dhe pastaj u lodhni kokën njerëzve me një hallkë proceduriale të procesit që as vetë nuk e dini mirë se çfarë është.
Nëse doni ta mundni pushtetin, tërhiqeni karrocën e Shqipërisë drejt Evropës, se këtu ku është nuk keni ndonjë shans.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.