Integrimi, Dhuka: Sfidë, arritja e standardeve evropiane në mbrojtjen e mjedisit dhe sigurisë ushqimore. 101 kushte nga BE për mbylljen e 31 kapitujve
Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka deklaroi se progresi i arritur nga Shqipëria gjatë vitit 2025 në procesin e integrimit evropian është rezultat i “vullnetit politik, disiplinës institucionale dhe punës së çdo nëpunësi e reformatori” të angazhuar në negociatat me Bashkimin Evropian.
Gjatë raportimit në Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme mbi ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimi Evropian për vitin 2025 dhe periudhën janar–prill 2026, Dhuka theksoi se Shqipëria ka hapur 33 kapituj negociues me BE-në, ndërsa deri më tani janë vendosur 101 kushte për mbylljen e 31 kapitujve.
“I gjithë progresi i arritur gjatë 2025 është produkte i vullnetit politik i të gjithë faktorëve politik, i disiplinës institucionale dhe i çdo nëpunësi dhe reformatori që ka punuar në këtë drejtim. Ky progres është shprehje e qartë e mbështetjes politike të vendeve anëtare të KE-së. Hapja e 33 kapitujve me BE me të cilat Shqipëria negocion dhe deri tani BE i ka paraqitur vendit tonë 101 kushte për mbylljen e 31 kapitujve. Kemi punuar intensivisht për mbylljen e negociatave dhe kemi hartuar 31 draft pune për plotësimin e 101 kushtet e vendosura nga BE, ku në shumicën e tyre janë ndryshime ligjore”, tha Dhuka.
Një nga kapitujt më sfidues për vendin është arritja e standardeve evropiane në mbrojtjen e mjedisit dhe në sigurinë ushqimore, ku sipas Dhukës kërkojnë investime të mëdha publike dhe private, si para ashtu edhe pas procesit të integrimit të vendit në familjen evropiane.
“Agjenda e gjelbër ku kemi marrë 22 piketa mbyllëse, fokusi do të jetë në politikën e mjedisit, transportit, ndryshimet klimatike dhe standardet evropiane në mbrojtjen e mjedisit që është shumë komplekse dhe është një nga fushat më sfiduese për anëtarësimin dhe pas anëtarësimit të vendit pasi kërkon investime të mëdha në infrastrukturën publike por edhe në pikat e prodhimit sa i përket trajtimit të mbetjeve në ajër dhe ujëra. Bujqësia dhe kohezioni ku kemi 18 kushte të mbylljes dhe foksi kryesor do të jetë politika bujqësore edhe zhvillimi rural, siguria ushqimore, ku edhe kjo është sfidë e madhe për ekonominë dhe kërkon një përpjekje të madhe ekonomike dhe shtetërore për arritjen e standardeve të BE-së’, tha Dhuka.
Në kuadër të reformave të kërkuara nga BE-ja, qeveria shqiptare ka miratuar gjatë vitit 2025 të paktën 222 akte ligjore dhe nënligjore, një shifër që sipas Dhukës është trefish më e lartë se ajo e vitit 2024.
“Kemi miratuar të paktën 222 akte ligjore dhe nënligjore gjatë 2025 ose 3 herë më shumë se 2024”, u shpreh ajo.
Ky intensifikim i reformave konsiderohet si një përpjekje për të përshpejtuar ritmin e negociatave dhe për të përmbushur kushtet teknike që kërkon procesi i anëtarësimit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.