Zaharova: Fabrikat evropiane të armëve që furnizojnë Ukrainën janë ‘caqe legjitime’ të Rusisë

MOSKË – Fabrikat në Evropë që prodhojnë armë për Ukrainën janë caqe legjitime dhe potenciale ushtarake për Rusinë, deklaroi të mërkurën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zaharova, siç njofton Reuters.
Zaharova, në një brifing për shtyp, tha se vendet evropiane janë të përfshira drejtpërdrejt në konflikt përmes mbështetjes së tyre ushtarake për Ukrainën, duke shtuar se ky angazhim vetëm e shtyn zgjidhjen e luftës, në vend që ta afrojë atë.
Deklarata e saj erdhi në përgjigje të një pyetjeje mbi gatishmërinë e dukshme të Polonisë për të pritur një fabrikë që do të prodhojë raketa interceptore Patriot për Ukrainën.
NATO dhe shumë vende evropiane theksojnë se do të vazhdojnë të bëjnë gjithçka që munden për të mbështetur Ukrainën, për ta ndihmuar të zmbrapsë forcat ruse dhe të rrëzojë dronë e raketa.
«Fabrikat e armëve në vendet evropiane që prodhojnë armë për Ukrainën janë caqe potenciale ushtarake për Rusinë dhe nuk duhet të supozohet se fabrikat ushtarake jashtë territorit ukrainas që prodhojnë armë për regjimin e Kievit do të jenë të sigurta. Kushdo që mendon kështu, gabon», tha Zaharova.
«Vendet evropiane janë të përfshira drejtpërdrejt në konfliktin ukrainas. Ato nuk po japin thjesht ndihmë. Duke hapur fabrika armësh dhe ndërmarrje të përbashkëta, ato janë të përfshira plotësisht. Dhe kjo vetëm e vonon zgjidhjen e konfliktit në vend që ta afrojë atë, siç mendojnë ose imagjinojnë disa forca në Evropë», shtoi zëdhënësja ruse.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.