IRAN – Teherani: Inspektimet e IAEA-së në centralet bërthamore të dëmtuara do të lejohen vetëm pas përfundimit të luftës
TEHERAN, 16 nëntor /ATSH-ANSA/- Irani nuk do të lejojë inspektimet e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), në objektet e tij bërthamore të dëmtuara gjatë luftës, për sa kohë që konflikti nuk ka përfunduar përfundimisht dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë pranuar kushtet e vendosura nga Teherani.
Këtë e deklaroi zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, në një intervistë për televizionin shtetëror të Iranit.
Ai theksoi se inspektimet në këto objekte nuk do të lejohen, deri në përfundimin e plotë të konfliktit dhe derisa Uashingtoni të pranojë kërkesat e Iranit.
Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike kishte kërkuar më parë nga autoritetet iraniane, që të lejonin inspektorët e saj të hynin në objektet bërthamore.
Inspektimet ishin pezulluar pas luftës mes Iranit dhe Izraelit, si dhe sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane në qershor 2025.
Gharibabadi vuri në pikëpyetje motivet e kërkesës së agjencisë, për të inspektuar këto objekte, duke pretenduar se qëllimi mund të ketë qenë vlerësimi i efektivitetit të armëve të përdorura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë sulmeve.
“Kërkesa e IAEA-së për të hyrë në këto objekte ndoshta kishte si synim vlerësimin e efektivitetit të armatimeve amerikane”, deklaroi zyrtari iranian.
IAEA është organizata ndërkombëtare që mbikëqyr aktivitetet bërthamore të vendeve dhe verifikon nëse ato zhvillohen në përputhje me detyrimet dhe marrëveshjet ndërkombëtare. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.