Ish-ministri Aliu: Prokuroria Speciale ka pushuar hetimet ndaj meje, mirëpres vendimin
Prokuroria Speciale ka pushuar hetimet ndaj ish-ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Aliu përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai ka thënë se vendimi për pushimin e hetimeve është marrë më 11 shtator, ndërsa, sipas tij, është bërë i ditur mëngjesin e 2 tetorit nga avokati i tij.
Aliu ka deklaruar se procesi hetimor kishte nisur rreth dy vjet më parë dhe se gjatë kësaj periudhe ishte përballur me, siç i ka quajtur ai, “spekulime të shumta mediatike”.
“Përpos punës sime si ministër, është hetuar edhe pasuria ime dhe e gjithë familjes time, të hyrat përgjatë viteve, të cilat kanë qenë po ashtu të deklaruara që nga fillimi i vitit 2011, në vazhdimësi deri më sot”, ka shkruar Aliu.
Ish-ministri ka thënë se gjatë hetimeve është përballur me akuza dhe sulme publike, ndërsa ka theksuar se kishte zgjedhur të mos reagonte.
“Që nga fillimi i hetimeve jam sulmuar nga të gjitha drejtimet me shpifje dhe ofendime nga më të rëndat, të cilat më janë drejtuar mua, familjes time dhe idealit kombëtar”, ka deklaruar ai.
Aliu ka thënë se e ka mirëpritur procesin hetimor dhe tash e mirëpret edhe vendimin për pushimin e tij.
“Përballë një mali me shpifje, unë zgjodha të hesht dhe mirëprita hetimin, ashtu siç sot e mirëpres këtë vendim për pushimin e hetimeve, edhe pse për mua ka qenë gjithmonë i pritshëm”, ka shkruar ai.
Ai ka paralajmëruar se mund të vazhdojë të përballet me kritika dhe akuza publike, por ka thënë se është i gatshëm t’i përballojë ato.
“Në botën në të cilën lajmi i rremë përhapet me lehtësi, unë jam i gatshëm që të përballem me të vërtetën”, ka shkruar Aliu.
Në fund, ish-ministri ka falënderuar të gjithë ata që, sipas tij, i kanë besuar gjatë procesit. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.