Rama njofton krijimin e Këshillit Kombëtar për fëmijët me aftësi ndryshe
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar krijimin e një Këshilli Kombëtar për fëmijët me aftësi ndryshe, me synimin për të sjellë një qasje të re në marrëdhëniet mes institucioneve, fëmijëve dhe familjeve të tyre.
Njoftimi u bë gjatë podcastit “Flasim”, ku një pjesë e diskutimit iu kushtua mbështetjes për fëmijët e spektrit autik dhe rolit të mësuesve ndihmës në sistemin arsimor.
Gjatë bisedës, ku ishte i ftuar edhe një nënë së bashku me djalin e saj me aftësi ndryshe, Rama tha se synohet një përfshirje më e drejtpërdrejtë e prindërve në përcaktimin e politikave dhe masave mbështetëse.
Sipas kryeministrit, Këshilli Kombëtar do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve, prindër dhe mësues. Puna e tij pritet të shërbejë si bazë për orientime dhe sugjerime të mëtejshme lidhur me politikat dhe mbështetjen për fëmijët me aftësi ndryshe.
“Një përpjekje për të hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve të institucioneve me këta fëmijë dhe prindërit e tyre, duke angazhuar prindërit që janë në pararojë të kësaj përpjekje”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se synimi është që përmes Këshillit të vijojë puna përmes udhëzimeve dhe sugjerimeve, duke përfshirë në këtë strukturë përfaqësues të institucioneve, prindërve dhe mësuesve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.