Ish-ministri gjerman Roth i përgjigjet Daçiçit: Pretendimet territoriale ndaj Kosovës çojnë drejt luftës, jo drejt BE-së
Michael Roth, ish-ministër gjerman për Evropën, e quajti pretendim territorial deklaratën e Ivica Daçiçit se flamuri serb një ditë do të valojë mbi Prizren dhe i bëri thirrje votuesve serbë para zgjedhjeve të 25 tetorit.
Ish-ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së politikanit serb Ivica Daçiç se flamuri serb një ditë do të valojë mbi Prizren. Reagimi, i publikuar në një postim në rrjetet sociale, është raportuar sot nga mediat kosovare, përfshirë Klan Kosova.
“Serbia e gjorë! Ivica Daçiç dëshiron që flamuri serb të valojë mbi Prizren. Pretendimet territoriale ndaj një fqinji më lënë pa fjalë”, ka shkruar Roth, duke e cilësuar deklaratën e Daçiçit si pretendim territorial ndaj Kosovës, siç njofton RTK, e cituar nga rekordi.net.
Roth, i cili ka shërbyer si ministër i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme gjermane nga viti 2013 deri në 2021, u ka bërë thirrje votuesve në Serbi që të kenë parasysh se për çfarë po vendosin në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit.
“Kjo rrugë çon drejt luftës. Nuk çon drejt Bashkimin Evropian. Më nuk ka para të BE-së për Serbinë!”, ka shkruar ai, duke e lidhur retorikën territoriale të Beogradit me të ardhmen evropiane të Serbisë.
Deklarata e Daçiçit dhe reagimi i ashpër i Roth-it vijnë në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ndërsa marrëdhëniet Kosovë–Serbi mbeten të tensionuara dhe dialogu në Bruksel i bllokuar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.