ISHUJT KANARIE – Rekord historik në rrugën detare të emigracionit, 1 580 mbërritje vetëm të shtunën
MADRID, 16 nëntor /ATSH-ANSA/ – Ishujt Kanarie në Spanjë janë përballur me një fluks rekord emigrantësh gjatë fundjavës, ku rreth 3 700 persona kanë mbërritur me 39 varka, duke shënuar numrin më të lartë të regjistruar në këtë periudhë.
Sipas autoriteteve rajonale, vetëm të shtunën u shpëtuan 1 580 persona që ndodheshin në 15 varka.
Ky është numri më i lartë i regjistruar brenda një dite, në 32 vitet e monitorimit të rrugës së emigracionit përmes Oqeanit Atlantik.
Rekordi i mëparshëm ishte 1 461 persona, më 7 nëntor.
Fluksi kishte nisur që të premten, kur mbërritën 843 persona me tetë varka, ndërsa të dielën u regjistruan të paktën 1 261 mbërritje të tjera, po me tetë varka.
Situata është veçanërisht e vështirë në ishullin El Hierro, një nga ishujt më të vegjël dhe më jugorë të arkipelagut të Kanarieve, ku kanë mbërritur rreth 10 000 persona brenda dy javësh.
Ishujt Kanarie janë një nga pikat kryesore të hyrjes në Evropë për emigrantët, që nisen nga brigjet e Afrikës Perëndimore dhe përshkojnë rrugën e rrezikshme detare të Atlantikut drejt Spanjës.
Numri i lartë i mbërritjeve ushtron presion mbi strukturat e pritjes, shërbimet e emergjencës dhe autoritetet lokale, veçanërisht në ishujt me popullsi të vogël, si El Hierro. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.