ITALI – 28 të arrestuar dhe 141 efektivë të plagosur pas përplasjeve në protesta, dëme prej 1 milion eurosh
ROMË, 18 tetor /ATSH-ANSA/- Një ditë pas përplasjeve të dhunshme gjatë protestave kundër rritjes së kostos së jetesës në Milano, Bolonjë dhe Torino, autoritetet italiane kanë bërë bilancin e incidenteve.
Sipas raportit, 28 persona janë arrestuar, 197 janë identifikuar dhe 43 janë proceduar penalisht, ndërsa 141 efektivë të forcave të rendit kanë mbetur të plagosur.
Dëmet materiale në Milano vlerësohen në të paktën 500 mijë euro dhe në Bolonjë, duke e çuar vlerën e përgjithshme në rreth 1 milion euro.
Sipas të dhënave të bëra publike, mes personave të identifikuar ka edhe të mitur dhe shtetas të huaj, përfshirë persona me prejardhje migrante të brezit të dytë.
Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, deklaroi se personat përgjegjës për aktet e dhunës do të përballen me drejtësinë, pavarësisht moshës së tyre.
Ai i cilësoi autorët e incidenteve si persona të organizuar për të shkaktuar kaos dhe bëri të ditur se kanë nisur hetimet për identifikimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve.
Meloni thërret mbledhje për sigurinë publike
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka thirrur një mbledhje për nesër, kushtuar rendit dhe sigurisë publike, pas përplasjeve të ditëve të fundit.
Në një reagim në rrjetin social X, Meloni shprehu solidaritetin e saj me efektivët e policisë dhe të forcave të tjera të rendit, duke falënderuar për punën e tyre në mbrojtje të qytetarëve, punonjësve dhe tregtarëve.
Ajo tha se qytetarët kanë të drejtë të jetojnë në qytetet e tyre pa frikë dhe pa u përballur me shkatërrime të shkaktuara nga grupe të dhunshme.
Edhe zëvendëskryeministri dhe kreu i partisë “Liga”, Matteo Salvini, kërkoi masa më të forta për parandalimin e incidenteve.
Ai sugjeroi më shumë prani të forcave të rendit dhe më shumë mundësi veprimi për policinë, duke përmendur përdorimin e topave të ujit dhe pajisjeve elektrike për neutralizimin e personave të dhunshëm, siç janë taserët.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, kërkoi që personat përgjegjës për shkatërrimet të identifikohen dhe të detyrohen të paguajnë dëmet materiale, si ato të shkaktuara ndaj pronës publike, ashtu edhe ndaj pronës private.
Kryebashkiaku Sala bëri të ditur se Bashkia e Milanos ka nisur vlerësimin e dëmeve, përfshirë vitrinat e thyera të dyqaneve, tavolinat dhe karriget e lokaleve të dëmtuara, gurët e shkëputur nga rrugët dhe dëmtimet në barrierat e kantierëve.
Ai tha se personat që kanë pësuar dëme duhet të marrin dëmshpërblim.
Partitë e opozitës dënojnë dhunën, por kërkojnë të mos mbulohen protestat paqësore
Edhe përfaqësuesit e opozitës kanë dënuar aktet e dhunës, por kanë paralajmëruar kundër përdorimit të tyre për të zhvlerësuar kërkesat e protestuesve paqësorë.
Kryetarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, tha se partia e saj nuk ka lidhje me personat që kryen aktet e dhunshme dhe se i ka dënuar vazhdimisht ato. Megjithatë, sipas saj, dhuna nuk duhet të përdoret për të larguar vëmendjen nga mijëra qytetarë, që protestojnë në mënyrë paqësore në të gjithë Italinë, sepse nuk arrijnë më të përballojnë kostot e jetesës.
Nicola Fratoianni, nga Aleanca e të Gjelbërve dhe e së Majtës (AVS), tha se dhuna nuk është zgjidhje, pasi i lë në hije arsyet e protestave. Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje për organizatorët e demonstratave, duke përmendur një grup të quajtur “Italia in piazza” (“Italia në shesh”), për të cilin tha se nuk kishte arritur të gjente informacion të qartë mbi origjinën e tij.
Ndërsa Angelo Bonelli, gjithashtu nga AVS, kërkoi që Ministria e Brendshme të identifikojë përgjegjësit e dhunës. Ai akuzoi forcat politike të djathta se po përpiqen t’ia atribuojnë opozitës përgjegjësinë për incidentet, duke lënë në hije kërkesat legjitime të qytetarëve për kushte më të mira në arsim dhe përballimin e rritjes së kostos së jetesës.
Në të njëjtën linjë me qeverinë, presidenti i Senatit, Ignazio La Russa, kritikoi deklaratat e kryebashkiakut Sala, duke kundërshtuar idenë se përplasjet mund të shpjegohen me numrin e pamjaftueshëm të efektivëve të policisë.
Ndërkohë, partia “Liga” ka kërkuar që disa masa të parashikuara në projektligjin për sigurinë, i cili po shqyrtohet në Senat, të miratohen me procedurë urgjente.
Ndër propozimet janë ndalimi paraprak i personave që dyshohet se mund të përfshihen në akte dhune, edhe kur janë të mitur, kufizimet për pjesëmarrjen në tubime të personave përgjegjës për dhunë në grup dhe krijimi i një vepre penale të posaçme për dëmtimet e kryera nga grupe personash.
Hetimet për incidentet vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për të identifikuar të gjithë personat përgjegjës dhe për të përcaktuar masat ligjore që do të zbatohen ndaj tyre. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.