Jemeni kërkon ndihmë ndërkombëtare për të mposhtur Huthi-t: “Është në interesin e botës”
Ministrja e Jashtme e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Jemenit i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për më shumë mbështetje në përpjekjen për të mposhtur Huthi-t, duke thënë se stabiliteti i vendit “është në interesin e botës”. “U bëjmë thirrje vëllezërve tanë, miqve tanë dhe komunitetit ndërkombëtar të mbështesin popullin jemenas, shtetin e tij dhe institucionet e tij kombëtare në përballjen me milicinë terroriste Huthi,” shkroi Afrah Al-Zouba në një postim në X, siç njofton Al Jazeera.
Sipas saj, rreziku që paraqet milicia dhe krimet e saj “i kanë tejkaluar kufijtë e Jemenit”, dhe dhënia fund agresionit të saj e “grushtit të saj të shtetit tradhtar” është bërë një “përgjegjësi dhe interes i përbashkët kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar, që kërkon qëndrim të vendosur dhe mbështetje efektive”.
Thirrja vjen pas shpalljes nga kryetari i Këshillit Presidencial jemenas, Rashad al-Alimi, të një operacioni të ri të madh ushtarak për të rimarrë territoret nën kontrollin e Huthi-t — lëvizja më serioze që nga armëpushimi i ndërmjetësuar nga OKB-ja në vitin 2022. Zëdhënësi i koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, gjeneral-majori Turki al-Maliki, tha se koalicioni do të vijojë të japë “mbështetje të plotë operative” për forcat qeveritare jemenase.
Në të njëjtën kohë, analistët paralajmërojnë se Huthi-t janë shndërruar në një forcë gjithnjë e më të fuqishme, me arsenalin e raketave, saktësinë e dronëve dhe aftësitë ushtarake të rritura me mbështetjen e IRGC-së iraniane — çka po e detyron qeverinë e Jemenit dhe aleatët e saj në një “ndryshim llogaritjesh”, tha analisti jemenas i mbrojtjes Ibrahim Jalal për Al Jazeera-n.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.