“Kam me ta ba si Naim Murseli që ia ka ba gruas së vet” – 54-vjeçarja nga Peja i drejtohet gjashtë herë Policisë, thotë se po kërcënohet nga ish-bashkëshorti
Një 54-vjeçare nga Peja thotë se po jeton me frikën se mund të vritet nga ish-bashkëshorti i saj, i cili, sipas saj, e ka kërcënuar vazhdimisht me vdekje, madje duke i thënë se do t’ia bëjë si Naim Murseli, i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt.
Gruaja ka treguar për televizionin ATV se deri më tani gjashtë herë është paraqitur në Policinë e Kosovës për të raportuar kërcënimet, por thotë se ende nuk ndihet e sigurt për jetën e saj.
Ajo pretendon se ish-bashkëshorti, me të cilin ishte e martuar për 14 vjet, i ka thënë se do ta vrasë aty ku ta takojë, por jo domosdoshmërisht me duart e veta.
“Që dy vjet jam e ndarë prej tij. Ai më ka thënë se ka me më mbytë, si Naim Murseli që ia ka mbytë gruan e vet. Jam paraqitur këtu në polici disa herë, sepse më ka thënë se kam me pagu njerëz edhe kam me të mbytë”, ka rrëfyer ajo.
Përveç kërcënimeve me vdekje, 54-vjeçarja pretendon se gjatë martesës ka përjetuar edhe dhunë fizike, për të cilën thotë se posedon dëshmi.
“Për 14 vjet sa kam qenë e martuar me të, kam përjetuar dhunë fizike. Më ka bërë për spital, më ka rrahur, më ka sulmuar me thikë, më ka rrëzuar për tokë dhe më ka goditur me grushte”, ka deklaruar ajo.
Në një lidhje telefonike për televizionin, gruaja ka shprehur frikën se kërcënimet mund të realizohen, duke pretenduar se ish-bashkëshorti ka njerëz të tjerë që mund ta kryejnë vrasjen në vend të tij.
“Unë nuk besoj që kam me jetu gjatë. Ai vetë më ka thënë se nuk i ndot duart e veta, por ka kush i ndot duart për mua, ka kush të zhduk ty. Ai ka para”, ka rrëfyer ajo.
Sipas saj, ish-bashkëshorti jeton jashtë vendit, por e ka kërcënuar se vrasja do të ndodhë në Kosovë.
Ajo thotë se nuk ndihet e mbrojtur as kur paraqitet në stacionin policor dhe kërkon që institucionet ta trajtojnë rastin me më shumë seriozitet.
“Jam duke u tutur shumë. Sa herë vij në Kosovë, vetëm shikoj se ku po kërcet. Dua që kur të vij këtu të jem e mbrojtur, të dihet kur po vjen ai dhe të kem më shumë mbrojtje. Por mua po më duket se nuk po më merr parasysh askush”, ka thënë ajo.
54-vjeçarja ka treguar se arsyeja e ndarjes nga bashkëshorti, sipas saj, ishte tradhtia, ndërsa ka shtuar se as fëmijët e tyre nuk kanë komunikim me të atin.
Ajo pretendon se kërcënimet ndaj saj janë shoqëruar edhe me paralajmërime se ish-bashkëshorti do t’ia shfarosë të gjithë familjen.
Rrëfimin e saj e ka shfrytëzuar edhe për t’u bërë thirrje grave që përjetojnë dhunë në familje të kërkojnë ndihmë dhe të mos presin gjatë për të raportuar rastet.
“Ju kam dashur të jap një mesazh për gratë që kanë jetuar dhe që po jetojnë në këto rrethana, që të mos presin si unë që kam pritur 14 vjet. Të largohen që në fillim, sepse një njeri si ai nuk ndryshon”, ka deklaruar ajo.
Sipas raportit policor, rasti është iniciuar në procedurë të rregullt, ndërsa Policia nuk ka dhënë detaje shtesë për televizionin.
Rasti i 54-vjeçares nga Peja rikthen në vëmendje edhe vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila ishte vrarë më 25 tetor, pasi paraprakisht kishte raportuar ish-bashkëshortin për mosrespektim të urdhrit mbrojtës.
Në rastin e Zekajt, si i dyshuar për vrasje është ish-kunati i saj, Albert Sylaj.
Duke iu referuar këtij rasti, 54-vjeçarja nga Peja shpreh frikën se mund të përfundojë me të njëjtin fat dhe kërkon ndërhyrje institucionale para se kërcënimet ndaj saj të marrin pasoja të pakthyeshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.