Kapet në Greqi 26-vjeçari shqiptar i akuzuar për vrasjen e bashkëkombësit në Selanik, pritet ekstradimi
Një 26-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e një shtetasi shqiptar në Selanik të Greqisë, është arrestuar nga autoritetet greke në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, i riu me inicialet R. T., lindur në Korçë, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pas dyshimeve për përfshirjen në një vrasje të ndodhur në vitin 2020.
Hetimet dyshojnë se 26-vjeçari, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, ka vrarë shtetasin shqiptar S. D. në Selanik. Fillimisht, viktima dyshohet se është dhunuar dhe më pas është goditur me mjete prerëse.
Ngjarja është denoncuar nga familjarët e viktimës në Korçë, ndërsa hetimet janë koordinuar me autoritetet greke.
Në vitin 2021, Gjykata e Korçës kishte caktuar ndaj 26-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Arrestimi i tij u bë i mundur falë koordinimit mes Drejtorisë së Interpolit në Tiranë dhe Interpol Athinës. Ai është arrestuar provizorisht në Greqi, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Ndërkohë, Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët grekë për përfundimin e procedurave të ekstradimit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.