Rajoni

Katastrofa natyrore shkakton 15 viktima, zi kombëtare në Greqi

Pamje të një katastrofe biblike transmetojnë mediet greke prej mëngjesit të së mërkurës, pasi një valë e keqe moti, e quajtur “Euridiki” ka goditur shumë rajone të vendit.

Vetëm në komunën e Mandrës, në perëndim të prefekturës së Athinës, kanë humbur jetën të paktën 15 persona, 5 gra dhe 10 burra, kur ujërat e rrëmbyer, brenda një ore kanë përmbytur dhjetëra shtëpi. Tre persona janë shpallur të humbur, 17 vetë janë plagosur dhe janë çuar në spital, prej të cilëve një në gjendje të rëndë.

Disa banorë janë detyruar të ngjiten në çati, pasi niveli i ujit u rrit ndjeshëm, ndërsa 12 vetë u shpëtuan nga një autobus në një urë.

Nga reshjet e mëdha të shiut, shumë shtëpi e dyqane janë përmbytur, ndërsa dhjetëra makina janë bllokuar në rrugët përreth. Shërbimi zjarrfikës u është përgjigjur më shumë se 500 thirrjeve për ndihmë.

“Çfarë t’iu them, e shikoni vet se ç’bëhet. U shembën muret dhe erdhën e u përplasen të gjitha automjet këtu. Uji ka hyrë brenda në të gjithë shtëpinë”, tha një grua e moshuar.

Specialistët konsiderojnë fenomenin e tejskajshëm si një “bombë meteorologjike”, e cila ka goditur zonat Nea Perama, Megara dhe Elevsina, pranë kryeqytetit grek. Probleme në qarkullimin e automjeteve ka pasur në rrugën nacionale Athinë-Korinth.

Duke shprehur keqardhjen për viktimat, kryeministri Alexis Tsipras ka shpallur zi kombëtare për të gjithë vendin, ndërsa ka thirrur urgjentisht mbledhjen e qeverisë për të marrë masa urgjente në përballimin e fenomenit.

Ndërkohë, Prokuroria e Athinës ka urdhëruar një hetim paraprak urgjent për vdekjet dhe dëmet e shkaktuara, si dhe për hetimin e veprave të planifikimit urban në zonat e përmbytura, në të cilat tashmë është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.

Në ndihmë të banorëve të shokuar nga katastrofa kanë shkuar forcat e ushtrisë dhe repartet e zjarrfikësve. Prej ditës së djeshme, edhe ishulli i Simit në Egjeun Juglindor ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme, pasi reshjet e shiut shkaktuan përmbytje të mëdha dhe dëme kolosale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button