KDI: Protesta është e drejtë demokratike, por deputetët nuk duhet të pengohen fizikisht
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar lidhur me protestat dhe kërkesat për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke theksuar se protestat janë pjesë e demokracisë, por nuk duhet të shndërrohen në presion fizik ndaj deputetëve.
KDI ka thënë se artikulimi i kërkesave përmes protestave është “bazamenti i demokracisë”, por ka kundërshtuar pengimin fizik të deputetëve për të hyrë apo dalë nga Kuvendi, kërcënimet apo përdorimin e dhunës ndaj tyre.
Sipas KDI-së, kërkesa që deputetët të votojnë një ligj mund të shprehet fuqishëm në shesh, por vota e deputetëve duhet të mbetet e lirë.
“Asnjë protestues apo organizatë nuk mund të vendosë përmes bllokimit fizik se kush hyn, kush del apo si duhet të votojë një deputet”, ka deklaruar KDI.
Instituti ka theksuar se deputetët kanë të drejtë të votojnë, të mos votojnë dhe të mbajnë përgjegjësi politike për vendimet e tyre.
“Protesta duhet të mbetet protestë, ndërsa presioni politik nuk mund të shndërrohet në presion fizik”, thuhet në reagim.
KDI u ka bërë thirrje krerëve të subjekteve politike që të dalin para protestuesve, të komunikojnë drejtpërdrejt me ta dhe të marrin përgjegjësi për qëndrimet e tyre. Po ashtu, organizatorëve të protestave u ka kërkuar që t’u bëjnë thirrje qytetarëve të vazhdojnë protestën pa dhunë dhe pa penguar fizikisht deputetët./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.