KE: Turqia, hapa prapa në lirinë e shprehjes dhe sigurinë
Komisioni Evropian ka akuzuar Turqinë se ka dështuar në respektimin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë.
Raporti vjetor mbi perspektivën e anëtarësimit të Turqisë në BE thotë se, në dy vitet e fundit ka pasur hapa prapa për lirinë e shprehjes.
Në dokument konstatohen gjithashtu të meta në funksionimin e gjyqësorit dhe ligjeve të reja që bien ndesh me standardet e BE-së.
Publikimi i raportit bëhet në një kohë kur BE-së i duhet ndihma e Turqisë për të kontrolluar flukset e refugjatëve.
Gjithashtu, ai vjen pas zgjedhjeve parlamentare në të cilat Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit Erdogan rifitoi shumicën e humbur në qershor.
Raporti u shty disa herë për shkak të negociatave delikate mbi krizën e refugjatëve që po zhvilloheshin me autoritetet turke, përfshirë këtu presidentin, pak para zgjedhjeve të 1 nëntorit.
I dërguari i BBC në Bruksel thotë se raporti i Komisionit përmban një sërë kritikash në adresë të Erdogan. Edhe pse emri i tij nuk përmendet, kritikat shkojnë në adresë të pushtetut të plotëfuqishëm të presidentit.
“Pas vitesh të tëra progresi në lirinë e shprehjes, në dy vitet e fundit në Turqi janë verifikuar hapa prapa”, thotë raporti i Komisionit Evropian.
Gjithashtu, vijon dokumenti, situata e sigurisë është përkeqësuar ndjeshëm dhe është jetike që të rifillojnë bisedimet e paqes me rebenët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.