Kërkimet për Remzi Arifin vazhdojnë: gjendet vetura në Sllubicë, policia dyshon se iku në Serbi
Kërkimet për Remzi Arifin, të dyshuarin për vrasjen e djalit të tij 29-vjeçar në fshatin Pogragjë të Gjilanit, po vazhdojnë edhe sot, siç njofton Klan Kosova.
Sipas burimeve të Klankosova.tv, vetura e të dyshuarit është lokalizuar në zonën e Sllubicës, fshat që shtrihet në pjesën jug-lindore të komunës së Gjilanit, pas veprimeve operative të ndërmarra nga autoritetet.
Ndërkohë, gazetarja e Klan Kosovës, Vesa Hoda, ka bërë të ditur se nga komunikimet me zyrtarë policorë, të njëjtit dyshojnë se i dyshuari ka ikur drejt Serbisë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 11 tetorit, rreth orës 19:30, kur Policia u njoftua për të shtëna me armë zjarri në Pogragjë. Ekipi mjekësor konstatoi në vend vdekjen e 29-vjeçarit Bajram Arifi, i cili dyshohet se u qëllua brenda shtëpisë së tij.
Burime pranë familjes i kanë treguar Klan Kosovës se nëna e viktimës dëgjoi dy krisma, e pa burrin duke ikur me veturë, ndërsa djalin e gjeti në dhomë të mbuluar me batanije.
Gjatë kontrollit të shtëpisë, Policia gjeti dhe sekuestroi armë e municion, mes tyre një pushkë Crvena Zastava M48, një pushkë gjuetie të kalibrit 12 GA dhe një pistoletë, si dhe dhjetëra fishekë. Pas ngjarjes u aktivizua “Unaza e Çeliktë”.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, ka konfirmuar se i dyshuari vazhdon të jetë në arrati dhe se po punohet intensivisht, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Rasti po hetohet për “Vrasje të rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Personi i përmendur prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.