KIEV – Ukraina paralajmëron OACI-në: Hapësira ajrore ruse nuk është e sigurt
KIEV, 2 shtator /ATSH-DPA/ – Ukraina ka njoftuar zyrtarisht Organizatën e Aviacionit Civil Ndërkombëtar (OACI) se hapësira ajrore ruse nuk është e sigurt, për shkak të rritjes së aktivitetit ushtarak.
Ministri ukrainas i Jashtëm, Andrii Sybiha, deklaroi se përshkallëzimi i luftës dhe shtimi i sulmeve me dronë e kanë bërë hapësirën ajrore ruse gjithnjë e më të rrezikshme.
“Ne u bëjmë thirrje të gjithëve ta shmangin atë”, shkroi Sybiha në rrjetin social X.
Një ditë më parë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi se qielli rus po bëhej “jashtëzakonisht i rrezikshëm” për shkak të dronëve ukrainas.
“Ukraina nuk dëshiron që të humbin jetë të pafajshme. Për këtë arsye paralajmërojmë partnerët tanë: ditët e sigurta në qiellin rus kanë marrë fund”, deklaroi Zelensky.
Ai theksoi se aviacioni civil nuk është në vetvete objektiv i sulmeve, por sipas tij, nuk mund të ketë siguri për fluturimet civile në një hapësirë ajrore ku veprojnë dronë.
Presidenti ukrainas e cilësoi këtë situatë si një përgjigje ndaj asaj që ai e konsideron si përpjekje të Rusisë për të zgjatur luftën dhe e akuzoi Moskën për “terror kundër civilëve”.
Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin i cilësoi deklaratat e Zelenskyt si “një deklaratë të terrorizmit shtetëror”.
“Nëse ndodhin tragjedi të tilla, ne do të dimë se si të përgjigjemi”, deklaroi Putin pas samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, të zhvilluar në Kirgistan.
Kievi dhe Moska kanë intensifikuar sulmet ajrore gjatë muajve të fundit, duke shkaktuar një numër në rritje të viktimave civile, ndërsa lufta në Ukrainë vijon prej më shumë se katër vitesh.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.