KINEMA – Edhe Brad Pitt pjesë e sagës 007?
Aktori Brad Pitt ka shprehur interes për të interpretuar rolin e antagonistit, ndërsa emri i tij është përmendur mes kandidatëve të mundshëm për këtë personazh. Gjatë promovimit të filmit të tij të fundit, ”The Further Mis-Adventures of Cliff Booth”, Pitt u shpreh me humor “më merrni për rolin e të keqit. Merreni Villeneuve-n në telefon”.
Aktori përmendi gjithashtu mikun e tij Javier Bardem, i cili interpretoi në mënyrë të spikatur terroristin kibernetik Raoul Silva në filmin ”Skyfall” (2012), përballë James Bond të luajtur nga Daniel Craig.
Ndërkohë, sipas parashikimeve të platformës ”Kalshi”, ndër emrat më të favorizuar për rolin e antagonistit renditet Cillian Murphy, fitues i çmimit Oscar për filmin ”Oppenheimer”, i ndjekur nga Barry Keoghan dhe Idris Elba. Në listën e emrave të përmendur janë gjithashtu Peter Dinklage, Adam Driver dhe Rosamund Pike, në rast se produksioni do të vendoste për një antagoniste femër.
Interesimi është i madh edhe për rolin e vajzës së re të Bondit.
Revista “Variety” ka publikuar një listë me 19 aktore të mundshme, ku përfshihen Zendaya, Florence Pugh, Margot Robbie, Sydney Sweeney, Anya Taylor-Joy, Emily Blunt, Marion Cotillard, Lupita Nyong’o dhe Margaret Qualley.
Në listë është edhe Hunter Schafer, e cila, nëse do të përzgjidhej, mund të bëhej vajza e parë transgjinore e Bondit.
Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për këto emra. Përzgjedhja e aktorëve do të bëhet nën drejtimin e Denis Villeneuve dhe drejtoreshës së kastit Nina Gold.
Sa i përket rolit kryesor, sipas raportimeve, aktori Josh O’Connor kishte qenë fillimisht një nga kandidatët e preferuar të Villeneuve për të interpretuar agjentin 007. Megjithatë, ai është tërhequr nga gara për shkak të rezervave lidhur me ekspozimin mediatik, presionin e famës dhe angazhimin afatgjatë që do të kërkonte një personazh kaq ikonik.
Sipas gazetarit të njohur të industrisë së argëtimit, Matthew Belloni, hezitimi i O’Connor për të marrë përsipër këtë rol dhe tërheqja e tij përfundimtare i hapën rrugën Robert Pattinson për t’u bërë pasardhësi i Daniel Craig në sagën e famshme./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.