Koçiu në Vaun e Dejës: “Paketa e Maleve” është për familjet dhe bizneset lokale, jo për oligarkët
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu zhvilloi një takim në Bashkinë e Vaut të Dejës me banorë që kanë aplikuar në programin “Paketa e Maleve” dhe kanë kaluar fazën e parë të procesit, atë të miratimit të planit të zhvillimit. Duke folur për ecurinë e programit në rang kombëtar, Koçiu deklaroi se deri tani janë miratuar mbi 1200 aplikime.
“Deri më sot përveç Vaut të Dejës dhe në bashkitë e tjera janë miratuar mbi 400 zona zhvillimi. Në 52 bashki të vendit kemi mbi 1200 aplikime të miratuara deri më tani, çka do të thotë që interesi ka qenë i jashtëzakonshëm. Mua më vjen mirë që ne këtu së bashku jemi me disa nga dëshmitarët e këtij procesi, i cili fillon në fakt me një bashkëpunim shumë të ngushtë me bashkinë, në rastin konkret me Bashkinë e Vaut të Dejës, pasi do duhet që të paraqitet i gjithë dokumentacioni i nevojshëm për të deklaruar që një pronë, një truall apo një objekt posedohet së paku 10 vite nga ai që aplikon apo që dëshiron ta zhvillojë atë pronë dhe të zhvillojë një investim në atë pronë. Më pas, bashkia kryen procesin e saj administrativ dhe vijon më pas me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit, me marrjen dhe me miratimin e planit të zhvillimit e më pas me aplikimet e tjera”, u shpreh Koçiu.
Zëvendëskryeministrja hodhi poshtë kritikat ndaj nismës, duke theksuar se “Paketa e Maleve” nuk është një program i krijuar për investitorë të mëdhenj apo oligarkë, por një mundësi për familjet dhe banorët e zonave malore.
“Si çdo gjë e re që bëhet, si çdo gjë e mirë që bëhet, nga ana tjetër fillon edhe përbaltja dhe besoj e keni dëgjuar baltosjen që i është bërë edhe “Paketës së Maleve” me gjithë fushatën e dezinformimit që filloi duke thënë është një paketë për oligarkët, është një paketë për ata që kanë kapital, është një paketë për investitorët e huaj. Në fakt komplet e kundërta është e vërtetë. Nuk është aspak një paketë për oligarkë apo për investitorë të huaj. Është një mundësi e jashtëzakonshme për bizneset familjare, për banorët lokalë të zonave malore, për ata që kanë vite që jetojnë në ato zona dhe kanë patur pamundësinë për ta zhvilluar një ide të tyre, një biznes lokal, një mundësi rritje më shumë për shkak të pamundësisë së disponimit të pronës mbi truallin apo objektin ku do duhet të zhvillohet ideja e investimit që ata kanë” deklaroi ajo.
Ndër të tjera zëvendëskryeministrja theksoi se ky program plotësohet edhe nga skema “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, e cila u krijon mundësi bizneseve të marrin kredi me interesa të lehtësuara.
“Përmes bashkëpunimit me Bankën e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë, bizneset mund të përfitojnë kredi me interesa 2 deri në 3 për qind, me afat deri në 10 vjet, ndërsa shteti garanton deri në 70 për qind të kolateralit. Kjo u jep mundësi sipërmarrësve të investojnë në pajisje, teknologji dhe zgjerimin e aktivitetit të tyre”, tha ajo.
Sipas zëvendëskryeministres, programi synon gjithashtu të nxisë investimet e shqiptarëve të diasporës në zonat malore.
“Paketa e Maleve u jep mundësi edhe shqiptarëve të diasporës që kanë trashëguar prona në këto zona, por nuk kanë mundur t’i zhvillojnë për shkak të mungesës së dokumentacionit të pronësisë. Tani ata mund të investojnë dhe të zhvillojnë pronat që kanë poseduar prej vitesh”, u shpreh Koçiu.
Në përfundim, ajo vuri theksin te nevoja për përshpejtimin e procedurave administrative, duke kërkuar angazhimin e institucioneve vendore dhe rajonale për të garantuar një proces sa më të shpejtë, të rregullt dhe në përputhje me ligjin, në mënyrë që përfituesit të mund të formalizojnë pronat dhe të realizojnë investimet e tyre.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.