Kronika

Kodheli: Mbrojtja nga krimi kibernetik, sipas standardeve të NATO-s

Është zhvilluar sot Konferenca e dytë e Forumit Shqiptar të Sigurisë, e cila synon të nxjerrë në pah panoramën e sotme të kërcënimeve ashtu si edhe strategjinë, metodat dhe zgjidhjes së zbulimit, vlerësimit, menaxhimit dhe trajtimit të rrezikut, bazuar në trinomin: teknologji – njerëz – proces.

E pranishme në këtë konferencë, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli tha se nisma të tilla të fokusuara tek analizimi i sfidave aktuale të sigurisë kibernetike, janë gjithnjë me vlerë.

Në fjalën e saj në këtë konferencë ministrja Kodheli vuri në dukje ndryshimet thelbësore në dy dekadat e fundit, të dinamikave të sigurisë, duke e vënë theksin tek ato aktuale.

Hapësira kibernetike është shndërruar në një komponent thelbësor të shoqërive tona. E gjithë infrastruktura në dispozicionin tonë, që nga shërbimet qeveritare, sektori financiar, sektori i sigurisë, e deri tek shkollat e spitalet janë gjithnjë e më shumë të varura nga rrjeti global. Por dhe njerëzit e thjeshtë, përmes përdorimit të internetit, janë të ndërvarur që nga përdorimi i rrjeteve sociale dhe marrja e informacionit, e deri tek kryerja e veprimeve bankare apo aplikimet e shumta online. Të dhënat personale tashmë nuk ruhen në rafte dhe skedarë kartoni, por në servera të ndërlidhur që mbajnë mbi vete rrezikun e ndërhyrjeve të paligjshme”,tha Kodheli.

Sipas saj, ka gjithashtu edhe një debat të madh lidhur me kufinjtë e hapësirës kibernetike.

Qeveritë janë të kufizuara në ushtrimin e sovranitetit nga kufinjtë tokësorë, detarë e ajrorë, ndërkohë që hapësira kibernetike nuk i përfill fare këto kufizime. Për këtë arsye, asnjë qeveri nuk është në gjendje të arrijë një nivel të mirë të sigurisë kibernetike. Dhe ky fakt e bën shumë të rëndësishëm bashkëpunimin ndër-institucional por dhe atë rajonal e ndërkombëtar. Fusha dixhitale e hapësirës kibernetike është fusha e pestë e operacioneve ushtarake në botë, së bashku me tokën, detin, ajrin dhe hapësirën kozmike”,  vuri në dukje Kodheli.

Ministria e Mbrojtjes në vitin 2014 ka hartuar edhe një strategji për mbrojtjen kibernetike, duke pasur tashmë një dokument të hartuar sipas standardeve të NATO-s.

Ky dokument synon adresimin e prioriteteve kryesore në luftën kundër krimit kibernetik, duke përfshirë ruajtjen e një mjedisi operimi elektronik të sigurtë.

Ne jemi prezent edhe në kufinjtë lindorë të NATO-s me stërvitje dhe angazhime të ndryshme ushtarake. Ndërkohë që nga viti i ardhshëm ne do të jemi prezentë në mënyrë të vazhdueshme në Letoni, me një togë, pjesë të Forcës së përparuar të NATO-s për t’ju kundërvënë rreziqeve që vijnë nga Lindja.

E dikush do të pyesë më shumë të drejtë, se ku qëndron lidhja mes prezencës ushtarake shqiptare nëpër botë dhe sigurisë kibernetike. Por prapë tentoj të jap përgjigje të thjeshta: nga kufinjtë e këtyre zonave ku ne jemi prezent ushtarakisht, vijnë dhe sulmet më të mëdha kibernetike ndaj demokracive tona. Betejat e sotme janë me hackerët, bloggerët, komentuesit e urrejtjes, për të përgatitur terrenin e nevojshëm, në mendjet e qytetarëve tanë dhe në aksesin tek të dhënat e tyre, për konfliktet frontale”, përfundoi Kodheli.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button