Kokaina në trëndafila, mes 6 shqiptarëve të arrestuar edhe i kërkuari për vrasje, si u zbuluan nga policia greke
Autoritetet greke kanë zbuluar një rrjet të trafikut të kokainës që transportonte drogën nga Kolumbia drejt Greqisë, duke e fshehur atë brenda ngarkesave me trëndafila.
Sipas njoftimit të Autoritetit të Pavarur për të Ardhurat Publike (AADE), hetimi zbuloi një ngarkesë me 80 kuti me trëndafila, e cila ishte nisur nga Bogota dhe kishte mbërritur në një pikë shitjeje lulesh në Artemida, në Athinë.
Nga kontrolli i 80 kutive, autoritetet gjetën se 15 prej tyre përmbanin trëndafila me përzierje artificiale, brenda të cilave ishte fshehur kokaina, raporton TCH.
Operacioni vijoi në një banesë në Marathona, ku autoritetet, në bashkëpunim me EKAM, D.A.O.E. të Policisë Greke dhe një ekip të Administratës Amerikane për Zbatimin e Ligjit Antidrogë (DEA), arrestuan një shtetas shqiptar, i cili akuzohet edhe për vrasje, si dhe djalin e tij.
Gjatë kontrollit në banesë u sekuestruan 2 kg të tjera kokainë, një laborator i plotë për përpunimin e drogës dhe një armë e fshehur në oborr.
Në total, sasia e kokainës së sekuestruar arrin në 84 kilogramë. Autoritetet kanë sekuestruar gjithashtu një automjet luksoz dhe vijojnë kërkimet për dy persona të tjerë, një burrë dhe një grua, kjo e fundit e paraqitur si përgjegjëse e dyqanit të luleve.
Për çështjen është përgatitur dosja hetimore, e cila do t’i përcillet prokurorit kompetent.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.