KOMENT – IEA: Tregu i naftës i tensionuar edhe në 2027-n, pavarësisht voluntarizmit politik
PARIS, 14 tetor /ATSH-AFP/ – Pavarësisht përpjekjeve politike për të frenuar rritjen e çmimeve të naftës diezel, tregu i këtij karburanti të rëndësishëm do të vijojë të përballet me vështirësi edhe gjatë vitit 2027, paralajmëroi sot Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), e cila shpreh shqetësimin për pasojat e konsiderueshme ekonomike që mund të sjellë kjo situatë.
Sipas IEA-së, çmimet rekord të naftës diezel kanë tashmë pasoja të gjera në ekonomi, duke rritur kostot e mallrave dhe duke ulur fuqinë blerëse të familjeve.
Kjo situatë ndikon gjithashtu në aktivitetin ekonomik dhe ushtron presion të mëtejshëm mbi inflacionin.
Organizata vlerëson se masat e ndërmarra nga qeveritë për të ulur çmimet janë kryesisht zgjidhje afatshkurtra dhe nuk adresojnë problemet strukturore të tregut.
Çmimet e larta kanë shkaktuar edhe tensione politike. Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi të premten një marrëveshje të debatueshme me Rusinë, që synon të lejojë hedhjen e menjëhershme në tregjet amerikane dhe botërore të 300 mijë tonëve naftë diezel ruse, ekuivalente me rreth 2,2 milionë fuçi.
Kjo sasi përfaqëson pak më shumë se gjysmën e konsumit ditor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë, në Francë, kryeministri Sébastien Lecornu njoftoi se nga muaji nëntor do të nxirren nga rezervat 10 milionë fuçi naftë diezel, me synimin për të ulur çmimet në pikat e karburantit.
Megjithatë, IEA paralajmëron se vështirësitë në tregun global do të zgjasin. Edhe vendet e G7-së kanë shprehur gatishmërinë për të përshpejtuar nxjerrjen në treg të rezervave të hidrokarbureve, veçanërisht të naftës diezel, por këto masa nuk mjaftojnë për të kapërcyer problemet e furnizimit.
Një nga shkaqet kryesore është ndërprerja e eksporteve të hidrokarbureve nga rajoni i Gjirit.
Që prej sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit në fund të shkurtit, si dhe kundërpërgjigjes së Teheranit përmes bllokimit të transportit të hidrokarbureve në Ngushticën e Hormuzit, eksportet e produkteve të rafinuara kanë mbetur të penguara. Edhe pse eksportet e naftës bruto janë rikthyer në nivele të konsiderueshme, furnizimi me karburante të përpunuara vijon të jetë problematik.
Një tjetër faktor është lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, gjatë së cilës infrastruktura energjetike është bërë gjithnjë e më shumë objektiv sulmesh. Veçanërisht të prekura janë rafineritë ruse, të cilat kanë rëndësi të madhe për furnizimin global me naftë deizel.
Sipas IEA-së, këto zhvillime kanë privuar tregun botëror nga rezerva të rëndësishme pikërisht në prag të periudhës së dimrit, kur kërkesa për karburant rritet.
Agjencia parashikon se, edhe nëse rafineritë arrijnë të përmirësojnë me shpejtësi ritmin e përpunimit deri në fund të vitit, oferta e naftës diezel do të mbetet e pamjaftueshme për të përmbushur kërkesën gjatë tremujorit të katërt të vitit 2026.
Kjo situatë rrezikon të mbajë çmimet në nivele të larta dhe të shtojë presionin mbi ekonomitë, bizneset dhe konsumatorët, ndërsa tregu pritet të mbetet i tensionuar edhe gjatë vitit 2027. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.