KOMENT – Përballë kërcënimeve hibride, BE kërkon një mekanizëm të përbashkët reagimi
BRUKSEL, 28 shtator /ATSH-DPA/- Ministrat e Mbrojtjes të vendeve të BE-së diskutuan sot mënyrat se si Evropa mund të forcojë mbrojtjen dhe të reagojë më mirë ndaj kërcënimeve që lidhen me Rusinë.
Diplomatja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, tha se vendet evropiane kanë rritur investimet në mbrojtje, por ende kanë mungesa të mëdha në pajisje dhe kapacitete ushtarake.
“Duhet të përqendrohemi te mënyrat se si t’i plotësojmë këto mungesa”, tha Kallas.
Sipas një raporti të Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes, mungesat kryesore janë në mbrojtjen ajrore, dronë dhe rezervat e municioneve.
Sipas raportit, masat e marra deri tani, nuk janë ende të mjaftueshme për të forcuar ndjeshëm mbrojtjen evropiane deri në vitin 2030.
Sekretari gjerman i Shtetit për Mbrojtjen, Sebastian Hartmann, tha se Evropa është në drejtimin e duhur dhe se vendet duhet të punojnë së bashku për të plotësuar këto mungesa.
Ai kërkoi gjithashtu që vendet e BE-së të rrisin ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen, duke argumentuar se kjo do t’i mundësonte industrisë evropiane të prodhonte më shumë pajisje ushtarake.
BE diskuton mekanizmin e përbashkët të reagimit
Ministrat diskutuan gjithashtu për herë të parë një plan për krijimin e një mekanizmi të përbashkët alarmi të BE-së për kërcënimet ndaj sigurisë.
Diskutimi vjen pas një sulmi me dron që u parandalua në një aeroport gjerman dhe një sulmi ndaj një linje hekurudhore që lidh Ukrainën me Poloninë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka propozuar që BE-ja të ketë një mekanizëm të tillë, të pavarur nga NATO-ja, për t’iu përgjigjur kërcënimeve që janë serioze, por që nuk arrijnë nivelin e një sulmi të drejtpërdrejtë ushtarak.
Nëse një vend do të aktivizonte mekanizmin, të 27 vendet e BE-së do të mblidheshin për të koordinuar reagimin.
Qëllimi do të ishte parandalimi i përshkallëzimit të situatës dhe kufizimi i pasojave.
Kallas tha se disa vende e shohin të nevojshëm këtë mekanizëm, ndërsa të tjera kërkojnë që ai të jetë i lidhur dhe në përputhje me atë që bën NATO-ja.
Ajo tha se është ende shumë herët për të thënë nëse shumica e vendeve të BE-së do ta mbështesin planin, pasi disa ministra kërkojnë më shumë informacion për mënyrën se si ai do të funksionojë.
Çfarë janë sulmet hibride?
Në qendër të diskutimit janë edhe kërcënimet hibride.
Me këtë term nënkuptohen veprime që synojnë të dëmtojnë ose destabilizojnë një shtet pa nisur një luftë të hapur.
Ato mund të përfshijnë sulme kibernetike, manipulim të informacionit, presion ekonomik, ndërhyrje politike dhe kërcënime ushtarake.
Zëvendësministri polak i Mbrojtjes, Pawel Zalewski, e mbështeti planin e BE-së.
Ai tha se NATO është e përgatitur për kërcënimet ushtarake, por ka disa mangësi në përballimin e sulmeve hibride.
Gjermania theksoi se BE-ja dhe NATO-ja duhet të veprojnë së bashku për t’iu përgjigjur këtyre kërcënimeve.
Ndërsa ministrja franceze e Forcave të Armatosura, Catherine Vautrin, theksoi rëndësinë e shkëmbimit të informacionit mes shërbimeve të inteligjencës së vendeve të BE-së, për të përmirësuar reagimin ndaj kërcënimeve hibride. /


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.