Bota

Koment: Përfituesi i Brexit mban emrin Putin

Reagimet zyrtare të Moskës për Brexit do të jenë diplomatike, por fshehtas Kremlini do të fërkojë duart: loja e tij e rrezikshme pati hë për hë sukses, mendon Ingo Mannteufel.

Ndër përfituesit e vendimit britanik nuk bën pjesë vetëm Nigel Farage dhe politikanët e tjerë euroskeptikë në BE, si hollandezi Geert Wilders dhe francezja Marine le Pen. Edhe Presidenti rus Vladimir Putin bën pjesë në përfituesit e referendumit për Brexit.

Vërtet që ka pak gjasa që Putini të shprehet në këtë mënyrë. Atij i pëlqen shumë të paraqitet si burrë shteti ndërkombëtar, i cili reagon me fjalë të moderuara e të kontrolluara. Por në kanalet e transmetimit të kontrolluara nga Kremlini do të dominojë qartë gëzimi malinj dhe lotët e krokodilit për Brexit: sepse mediet shtetërore ruse propagandojnë prej kohësh një pamje negative të një BE që po shpërbëhet.

Internacionalja populiste e Putinit

Shumë rusëve dalja nga BE i Britanisë së Madhe u kujton shpërbërjen e BS. Vërtet që vendimi për Brexit është një moment vendimtar në histori. Por një kolaps të plotë të rendit shtetëror dhe ekonomik, siç ndodhi pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, në Evropë nuk do të ketë. Por kjo e vërtetë nuk u thuhet spektatorëve të televizioneve ruse.

Politikën ruse nuk mund ta shohësh si shkak për forcimin e populistëve në Evropë – ose po të mendosh Donald Trumpin – edhe në SHBA: shkaqet për këtë janë më tepër në një kombinim faktorësh demografikë, politikë dhe socioekonomikë. Megjithatë, Kremlini vitet e shkuara i shtoi dukshëm përpjekjet për të mbështetur grupet populiste dhe kritike ndaj BE- qoftë në formë kredie të një banke ruso-çeke për Front National të Marine le Pen ose në formën e një raportimi tepër dashamirës të medieve ndërkombëtare nga Rusia për UK Independence Party të Nigel Farage ose në vitin 2014 edhe për lëvizjen e pavarësisë së Skocisë. Me këtë forcim të tendencave populiste në Evropë synohet të minohen stabiliteti dhe aftësia për veprim e Evropës. Logjika pas kësaj: sa më shumë të shtohen mosmarrëveshjet në Evropë, aq më shumë shtohen shanset për të arritur përfundime më të mira në negociatat për zbutjen e sanksioneve evropiane ndaj Rusisë.

Arritje e synimit maksimal të politikës së jashtme ruse

Me vendimin për Brexit është arritur synimi maksimal i politikës së jashtme ruse në Evropë: BE do të merret vitet e ardhshme para së gjithash me veten. Zgjerime të BE aktualisht nuk përfytyrohen më. Lajmi i keq për të gjithë ukrainasit, moldavët dhe gjeorgjianët është: zgjerimi i BE me shtete postsovjetike ose edhe me shtete ballkanike, me vendimin për Brexit është spostuar në një të ardhme të largët. Pra perspektiva evropiane e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë deri në një vendim tjetër u shkatërrua. Këto shtete do të shtyhen sërish indirekt në “zonën e influencës” të kërkuar nga Rusia, edhe nëse këtë nuk e thotë njeri politikisht hapur në BE. Dhe me këtë, Presidenti rus Putin bën pjesë qartësisht në përfituesit e Brexit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button