Kompanitë e naftës paralajmërojnë: markimi i karburanteve mund të shkaktojë shpërthime
Shoqata e Kompanive të Naftës në Mal të Zi kërkon shtyrjen e markimit të karburanteve, duke paralajmëruar rrezik për punonjësit në pikat kufitare, shoferët dhe udhëtarët, si dhe kosto shtesë rreth 17 milionë euro.
Shoqata e Kompanive të Naftës në Mal të Zi ka paralajmëruar se markimi i karburanteve, zbatimi i plotë i të cilit, siç njofton Tv Boin, kërkohet nga Ministria e Energjisë dhe Minierave duke nisur nga sot, 23 nëntor, rrezikon sigurinë dhe jetën e punonjësve në pikat kufitare, të shoferëve dhe të udhëtarëve. Shoqata kërkon që zbatimi të shtyhet derisa të krijohen kushtet e nevojshme teknike dhe të sigurisë.
Sipas kompanive, markimi kryhet duke hapur cisternat e mbushura në pikat kufitare dhe duke shtuar në karburant një substancë të veçantë; gjatë këtij procesi çlirohen avuj të ndezshëm që mund të shkaktojnë zjarr ose shpërthime. Ato pretendojnë se gjatë testimeve në pikën kufitare Debeli Brijeg cisternat janë hapur pranë objekteve të Policisë dhe Doganave, si dhe pranë korsive ku qarkullojnë udhëtarët.
Shoqata thekson se pikat aktuale kufitare nuk kanë kapacitetet teknike për një proces të sigurt dhe se mungon edhe pëlqimi i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, në kuadër të Ministrisë së Brendshme. Ajo kujton se Ministria e Energjisë e shtyu zbatimin dy javë më parë për çështje të pazgjidhura teknike dhe ligjore, ndërsa, sipas saj, që atëherë nuk ka ndryshuar asgjë.
Kompanitë vlerësojnë gjithashtu se modeli i paraparë nuk përputhet me praktikën e Bashkimit Evropian, ku markohen vetëm disa lloje karburantesh që përfitojnë lirime ose norma më të ulëta akcize, ndërsa në Mal të Zi parashihet markimi i të gjitha llojeve. Sipas vlerësimeve të tyre, procesi mund të sjellë kosto shtesë rreth 17 milionë euro, që mund të rëndojnë buxhetin e shtetit ose qytetarët.
Në fund, kompanitë thonë se i kanë paralajmëruar me shkrim Ministrinë e Energjisë, Ministrinë e Brendshme dhe Administratën Doganore, duke kërkuar inspektim në terren, por pa marrë përgjigje, dhe kërkojnë të sqarohet mbi bazën e cilave vlerësime u miratua procesi dhe kush do të mbajë përgjegjësi në rast incidenti.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.