Kosova e katërta në botë në FIRST Global Challenge 2026, përmes ekipit të përfaqësuar nga UBT
Kosova renditet e katërta në botë në FIRST Global Challenge 2026, garën ndërkombëtare të robotikës që u mbajt në Incheon të Koresë së Jugut, ku ekipi First Kosova, i përfaqësuar nga UBT, arriti këtë sukses bashkë me grupin me Greqinë, Poloninë dhe Meksikën, në mesin e 191 shteteve pjesëmarrëse nga e gjithë bota.
Ekipi përfaqësues i Kosovës ka dëshmuar përgatitje të lartë teknologjike, aftësi në robotikë dhe programim, si dhe bashkëpunim të suksesshëm ndërkombëtar, duke arritur deri në fazën e play-off-it dhe duke konkurruar për pozitat më të larta të garës.
Gara e këtij viti kishte në fokus zhvillimin e zgjidhjeve teknologjike për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve të egra. Përmes robotëve dhe sfidave inxhinierike, ekipet pjesëmarrëse u angazhuan në zgjidhjen kreative të problemeve dhe aplikimin praktik të njohurive shkencore.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka vlerësuar lart këtë sukses, duke theksuar rëndësinë e investimit në edukimin teknologjik dhe në zhvillimin e talenteve të reja.
“Renditja e ekipit të Kosovës në vendin e katërt në botë është dëshmi e fuqishme e talentit, dijes dhe potencialit inovativ të të rinjve tanë. Ky sukses dëshmon se, kur të rinjtë kanë mundësi, mbështetje dhe qasje në teknologji e inovacion, ata mund të konkurrojnë denjësisht me ekipet më të mira në botë. UBT do të vazhdojë të investojë në zhvillimin e gjeneratave të reja, duke i përgatitur për sfidat e së ardhmes dhe duke e përfaqësuar Kosovën me dinjitet në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Rektori Hajrizi.
Ky sukses ndërkombëtar shënon një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin e të rinjve kosovarë drejt inovacionit dhe zhvillimit teknologjik./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.