Kritikat për sigurinë kibernetike, Rama u përgjigjet përmes shkrimit të medias ndërkombëtare: Sulmi i 2022 s’na gjunjëzoi, por forcoi dhe çoi në vendin e parë në botë
Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një lajm të medias ndërkombëtare Euronews ku flitet pikërisht për renditjen e Shqipërisë si vendi i parë në botë për sigurinë kibernetike. Përmes këtij publikimi, Rama u është përgjigjur edhe kritikëve që e cilësuan lajmin e ndarë më herët prej tij si “gënjeshtër” dhe “propagandë”.
Në reagimin e tij, Rama thekson se Shqipëria renditet e para në botë për sigurinë kibernetike, duke lënë pas vende si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, duke e lidhur këtë rezultat me transformimin e ndërmarrë pas sulmit masiv kibernetik të vitit 2022.
Sipas kryeministrit, pas sulmit Shqipëria ka forcuar kuadrin ligjor, ka centralizuar mbrojtjen kibernetike dhe ka rritur kapacitetet në këtë fushë, ndërsa ka zgjeruar edhe bashkëpunimin me Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara dhe kompanitë e mëdha të teknologjisë.
“Shqipëria e para në botë për sigurinë kibernetike. Nga vendi që në vitin 2022 u godit nga një sulm masiv kibernetik i sponsorizuar nga Irani, tek vendi që sot kryeson renditjen globale për sigurinë kibernetike.
Sipas indeksit të publikuar edhe nga Euronews, Shqipëria renditet e para në botë me 98.33 pikë nga 100, përpara fuqive të mëdha teknologjike si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Pikë maksimale për politikat kibernetike, bashkëpunimin ndërkombëtar, arsimin dhe kërkimin, mbrojtjen e infrastrukturës kritike, analizën e kërcënimeve, mbrojtjen e të dhënave, reagimin ndaj incidenteve, menaxhimin e krizave dhe luftën kundër krimit kibernetik”, shkruan Rama.
Teksa renditi faktorët e ndikuan në këtë rezultat, Rama tha se sulmi kibernetik i 2022 nuk e gjunjëzoi vendin, por shtyu edhe më shumë atë drejt transformimit.
“Sulmi i vitit 2022 mund të na kishte gjunjëzuar. Ne e kthyem atë në një shtysë për transformim. Rindërtuam kuadrin ligjor, centralizuam mbrojtjen kibernetike, forcuam kapacitetet tona dhe ngritëm partneritete të reja me Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara dhe kompanitë më të mëdha të teknologjisë.
Dhe sot, në një kohë kur Shqipëria digjitale ofron online 95% të shërbimeve publike, kjo mburojë është po aq jetike sa çdo infrastrukturë tjetër strategjike e vendit. Nga objektivi i një sulmi shtetëror kibernetik, në numrin 1 të botës për sigurinë kibernetike”, shkruan ai.
Shkrimi i Euronews për Shqipërinë
Pse Shqipëria është në krye të tabelës?
Shqipëria mori 98.33 nga 100 — një rezultat mbresëlënës për një vend që zakonisht nuk lidhet me udhëheqjen e sigurisë kibernetike. Ajo arriti një rezultat të përsosur në të gjithë treguesit strategjikë, përfshirë politikën kibernetike, bashkëpunimin ndërkombëtar, arsimin dhe kërkimin, dhe përsëri në të gjithë treguesit parandalues, duke përfshirë mbrojtjen e infrastrukturës kritike, analizën e kërcënimeve dhe mbrojtjen e të dhënave.
E vetmja mangësi e saj ishte mbrojtja kibernetike ushtarake, ku mori dy të tretat e pikëve të disponueshme. Çdo tregues tjetër i përgjegjshëm, përfshirë reagimin ndaj incidenteve, menaxhimin e krizave dhe zbatimin e krimeve kibernetike, ka pasur rezultate të plota. Hendeku rrjedh nga një element i vetëm që mungon: Shqipëria nuk ka një doktrinë të publikuar ushtarake kibernetike, dokumentin që përcakton rregullat e forcave të armatosura për kryerjen e operacioneve kibernetike.
Për Shqipërinë, rezultati më i lartë erdhi pas një sulmi kibernetik në vitin 2022 nga hakerë shtetërorë iranianë — aq serioz sa Tirana ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Teheranin për këtë arsye — që detyroi një rishikim të pastër ligjor nga lart-poshtë.
Në vend që të ishte një pengesë, kriza nxiti modernizim të shpejtë: kuadrot ligjore u rishikuan, operacionet e mbrojtjes u centralizuan nën Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe u krijuan partneritete me BE-në, SHBA-në dhe firmat kryesore të teknologjisë. Qeveria gjithashtu kaloi në e-Albania të sigurt, portalin digjital që strehon 95% të shërbimeve publike të vendit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.