Lëvizja Bashkë gati për një kandidat të përbashkët në zgjedhje? Redi Muçi: Vijë e kuqe, Berisha
I ftuar në “Review” me Greta Topjanën, deputeti i “Lëvizjes Bashkë”, Redi Muçi, deklaroi se Arlind Qori do të jetë kandidati i kësaj partie për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 9 majit 2027.
Duke folur për mundësinë e bashkëpunimit me forca të tjera politike, Muçi theksoi se kriteri kryesor për “Lëvizjen Bashkë” është mospërfshirja në një bashkëpunim politik me Sali Berishën.
Ai u shpreh se nuk e përjashton mundësinë e fitores së Qorit, duke marrë si shembuj edhe raste nga qytete të tjera, si Nju Jorku dhe Berlini.
Gazetarja e pyeti Mucin nëse do ta pranonte që Partia “Bashkë” të bëhej pjesë e garës për zgjedhjet lokale të 9 majit, me një kandidat të përbashkët që do të vinte nga protesta.
Muci u përgjigj pozitivisht, duke lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit politik, por vendosi një kusht të qartë: bashkëpunim po, por pa Sali Berishën.
“Lëvizja Bashkë’ ka vendosur disa kritere. Kriterin e parë, të cilin e kam bërë fare të qartë, është se ne nuk bashkëpunojmë me Sali Berishën. Në bazë të kritereve të integritetit, ndershmërisë, vullnetit për të ndërtuar një program dhe një platformë qeverisëse për Tiranën, si dhe besnikërisë ndaj këtij programi, ne, te ‘Lëvizja Bashkë’, kemi shpallur kandidaturën e Arlind Qorit, kryetarit të partisë sonë, për Bashkinë e Tiranës. Ne e kemi kandidatin tonë, që është kryetari i partisë, zoti Arlind Qori. Përderisa gara për Bashkinë e Tiranës është mazhoritare e pastër, ku mjafton një votë më shumë, në kontekstin e gjithë situatës ku ndodhemi, në raport me këtë protestë që ka vazhduar kaq gjatë, nuk do ta përjashtoja fitoren e Arlind Qorit, duke marrë edhe shembuj si Nju Jorku, Berlini e me radhë. Ka plot shembuj”, tha Muçi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.