Nga alienët te Kryeministria, një emërim përtej kësaj bote dhe shprehja ” S’keni pare gje akoma!”
Duket se Edi Rama dhe inovacioni në emërime kanë arritur një tjetër majë. Nëse mendonit se kishit parë gjithçka nga listat e ministrave, deputetëve, këshilltarëve dhe ekspertëve të orëve të fundit, mendohuni përsëri. Kryeministri vazhdon të na provojë se imagjinata e tij në përzgjedhjen e bashkëpunëtorëve nuk njeh kufij. Madje, kësaj here, as kufijtë e planetit Tokë.
Kryeministri ka emëruar si këshilltare për mediat Vlerë Gjakovën, një nga pjesëmarrëset e njohura të “Rrethit Katror”, një emision televiziv ku teoritë konspirative gjejnë një mikpritje që rrallë u rezervohet në institucionet shkencore.
Për ata që nuk e kanë ndjekur këtë festival të pazakontë të mendimit njerëzor, këshilltarja e re ka lënë disa perla që qarkullojnë gjerësisht në internet.
Në një prej daljeve të saj televizive, ajo ka shpjeguar se Hëna është një planet i ndërtuar nga alienët për të kontrolluar emocionet tona. Këtu kemi dy zbulime shkencore me një të rënë të gojës. Së pari, Hëna nuk qenka sateliti natyror i Tokës, siç na kanë mësuar gabimisht astronomët prej shekujsh, por planet. Së dyti, këtë planet e kanë ndërtuar alienët me qëllim që të na kontrollojnë emocionalisht.
Shkencëtarët e NASA-s, që prej dekadash shpenzojnë miliarda dollarë për të studiuar Hënën, duhet të ndihen disi të turpëruar. Kanë dërguar njerëz, anije kozmike, sonda dhe pajisje të sofistikuara, por nuk kanë arritur të zbulojnë atë që këshilltarja e re e Kryeministrisë e ka kuptuar nga një studio televizive: Hëna është një planet artificial që merret me emocionet tona.
Ky zbulim mund të ketë një përdorim të jashtëzakonshëm në komunikimin qeveritar. Për shembull, kur qytetarët zemërohen me çmimet, pensionet apo korrupsionin, nuk ka më arsye të shqetësohet qeveria. Problemi mund të jetë te Hëna. Madje, Kryeministria mund të krijojë një drejtori të posaçme për marrëdhëniet me alienët, e cila të koordinojë ndikimin e tyre mbi humorin e popullsisë.
Por këshilltarja nuk është kufizuar vetëm në astronomi. Në një tjetër dalje televizive, ajo ka sfiduar edhe bazat e biologjisë. Mendja që tani do t’i japë këshilla shefit të qeverisë ka hedhur dritë mbi një mister që as shkencëtarëve të CERN-it nuk u kishte shkuar ndonjëherë në mendje.
Harrojeni Darvinin, teorinë e evolucionit, origjinën e njeriut në Afrikë dhe migrimet e lashta njerëzore. Sipas analizës së saj të thellë antropologjike, “raca e bardhë nuk është racë e Tokës, jemi të bërë në laborator”.
Mbetet vetëm të zbulohet se ku ndodhet laboratori, kush e ka financuar dhe nëse ka pasur ndonjë tender për krijimin e racës së bardhë. Nëse laboratori ka qenë në Shqipëri, çështja ndërlikohet, sepse duhet të kontrollojmë nëse është zbatuar ligji për prokurimet publike dhe nëse alienët kanë pasur certifikatë regjistrimi në QKB.
Sigurisht, nuk është e ndaluar që një njeri të besojë te alienët, te Hëna artificiale apo te laboratorët jashtëtokësorë. Në një shoqëri të lirë, secili ka të drejtë të besojë çfarë të dëshirojë. Mund ta quajë Hënën planet, Diellin satelit dhe Tokën një eksperiment laboratorik. Problemi fillon kur njeriu që i paraqet publikisht këto teori emërohet për të këshilluar kreun e qeverisë për komunikimin me qytetarët.
Sepse komunikimi publik nuk është thjesht aftësia për të folur para kamerave. Ai kërkon një marrëdhënie elementare me faktet, me të vërtetën dhe me përgjegjësinë që kanë institucionet kur u drejtohen qytetarëve.
Natyrisht, Vlerë Gjakova mund të ketë përvojë profesionale në fushën e komunikimit. Deklaratat e saj për alienët nuk e përjashtojnë automatikisht këtë mundësi. Por është krejt e arsyeshme të pyesim se çfarë kriteresh përdor kryeministri për përzgjedhjen e njerëzve që do ta këshillojnë.
Megjithatë, nuk duhet përjashtuar mundësia që Rama ta ketë bërë këtë emërim me një strategji të menduar mirë. Pas kaq vitesh në pushtet, problemet e Shqipërisë janë bërë aq të shumta, sa ndoshta nuk mjaftojnë më këshilltarët tokësorë.
Dhe, në fund të fundit, një kryeministër që ka emëruar një ministre virtuale, nuk ka pse të kufizohet te këshilltarët e kësaj bote.
Tani që kemi edhe një këshilltare që merret me alienët, qeveria mund të fillojë të shikojë më larg. Nëse nuk zgjidhen problemet në Tokë, mund të kërkohet ndihmë në Mars. Megjithëse, përpara se të shkojmë atje, duhet të sqarojmë nëse Marsi është vërtet planet apo ndonjë satelit që alienët e përdorin për të kontrolluar rezultatet e zgjedhjeve.
Vetëm një gjë mbetet e paqartë: a e ka marrë Rama këtë këshilltare për të përmirësuar komunikimin me shqiptarët, apo për të vendosur më në fund marrëdhënie diplomatike me alienët?
Sepse, sa u përket shqiptarëve, pas trembëdhjetë vjetësh në pushtet, duket se komunikimi me ta është bërë më i vështirë se komunikimi me jashtëtokësorët.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja e vërtetë e emërimit: Rama ka vendosur të kërkojë mirëkuptim në një planet tjetër, pasi në këtë tonin po i mbarojnë njerëzit që e besojnë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.