Kryeministri që u bë drejtor i policisë kriminale

Edi Rama nuk ka bërë sot një zbulim të jashtëzakonshëm. Të njëjtin zbulim e ka bërë edhe Ramiz Alia kur studentët ishin ngritur në protesta. Të njëjtin zbulim ka bërë edhe Sali Berisha kur ishte kryeministër dhe populli ishte në protesta përpara Kryeministrisë. Njëlloj si ata, Edi Rama, në kohë protestash, ka zbuluar se Shqipëria është plot me kriminelë. Madje, sipas tij, kriminelët kanë filluar të merren edhe me politikë: kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe paraqiten si studentë. Kryeministri është aq i shqetësuar, sa ka lënë përkohësisht punët e qeverisë dhe ka marrë përsipër detyrën e drejtorit të Policisë Kriminale.
Në një dalje publike, Rama lexoi një listë me 45 persona të ndaluar gjatë protestave, duke treguar moshat, inicialet dhe të dhënat e tyre penale. Për disa përmendi dënime të mëparshme, për të tjerë precedentë policorë, ndërsa disa i paraqiti si të dyshuar për financime nga Irani. Sipas tij, kjo provonte se protesta nuk ishte studentore, por një veprimtari e organizuar nga krimi.
Kryeministri nuk shpjegoi se si kishin përfunduar në duart e tij këto të dhëna policore dhe përse kishte vendosur t’i përdorte publikisht kundër protestuesve. Një precedent policor nuk është një dënim gjyqësor. Edhe një njeri që ka qenë i dënuar nuk e humbet të drejtën për të protestuar. Për më tepër, një dënim i mëparshëm për vjedhje apo një shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor nuk ka lidhje me kërkesën për dorëheqjen e qeverisë.
Kjo mënyrë veprimi e Ramës na kujton menjëherë Sali Berishën. Pas 21 Janarit, kur katër demonstrues u vranë përpara Kryeministrisë, Berisha fliste për çadra-pistoletë, stilolapsa-pistoletë dhe përpjekje për grusht shteti. Në vend që të jepte shpjegime për vrasjen e katër qytetarëve, përpiqej të bindte publikun se demonstruesit përbënin një rrezik të madh për shtetin.
Edi Rama, që dikur i denonconte këto metoda, sot vepron në mënyrë të ngjashme. Berisha fliste për çadra dhe stilolapsa me armë, ndërsa Rama flet për dronë me eksploziv, kriminelë dhe financime nga Irani. Të dy përpiqen ta paraqesin qeverinë si viktimë të protestuesve, në vend që t’u përgjigjen kërkesave të tyre.
Por pjesa më interesante është marrëdhënia e Edi Ramës me krimin. Duke dëgjuar fjalimin e sotëm, krijohej përshtypja se krimi i organizuar në Shqipëri ekziston vetëm për të rrëzuar kryeministrin. Sikur gjatë gjithë këtyre viteve kriminelët të kenë qëndruar larg zgjedhjeve, administratës, tenderëve dhe njerëzve të pushtetit.
Historia e qeverisjes së Ramës tregon diçka tjetër. Akuzat për përfshirjen e personave me lidhje kriminale në zgjedhje dhe për marrëdhëniet e tyre me zyrtarë të lartë kanë qenë të vazhdueshme. Disa zyrtarë të rëndësishëm kanë përfunduar përpara drejtësisë. Madje, janë ngritur edhe akuza për njerëz që koordinonin marrëdhëniet mes grupeve kriminale dhe politikës.
Rasti i Vlora Hysenit e bën edhe më të rëndë shfaqjen e sotme të kryeministrit. Drejtuesja e Shërbimit Informativ Shtetëror, e emëruar gjatë qeverisjes së Ramës, është vënë nën hetim për përkrahje të autorit të krimit dhe zbulim të akteve ose të dhënave sekrete. Sipas të dhënave nga dosja, ajo kujdesej edhe të fikte radarët e shtetit që “çunat të mos i gjente gjë”. Ndërsa Rama shqetësohet për një protestues që ka penguar qarkullimin rrugor, drejtuesja e shërbimit të tij sekret hetohet për nxjerrje të sekreteve shtetërore. Kjo do të thotë se njerëz të lidhur me krimin kanë marrë informacione që duhej të ishin të mbrojtura nga shteti. Megjithatë, kryeministri duket shumë më i interesuar për biografitë penale të atyre që protestojnë kundër tij.
Natyrisht, kush kryen krime gjatë protestave duhet të përgjigjet përpara ligjit. Por këtë e vendosin prokuroria dhe gjykata, jo kryeministri në televizor. Nëse ka prova për financime kriminale ose ndërhyrje nga Irani, ato duhet t’u kalojnë institucioneve të drejtësisë. Leximi i një liste me iniciale dhe precedentë penalë tregon thjesht që atij po i shteron fantazia dhe merr hua metodat e paraardhësve.
Edhe sikur të 45 personat e përmendur nga Rama të rezultonin fajtorë për veprat që u atribuohen, kjo nuk do t’i bënte të pavlefshme kërkesat e mijëra qytetarëve të tjerë. Protesta ka kërkesa politike që lidhen me korrupsionin, përqendrimin e pushtetit, mënyrën e qeverisjes dhe përgjegjësinë e kryeministrit. Këto probleme nuk zhduken duke lexuar dosjet penale të disa pjesëmarrësve. Aq më tepër që ai duhet ta kuptojë se edhe një person që ka probleme me drejtësinë, është qytetar i republikës që gëzon të drejta kushtetuese dhe ka të drejtë të protestojë. Të drejtën e protestës e ka edhe një i burgosur.
Pas më shumë se trembëdhjetë vjetësh qeverisjeje, Edi Rama nuk mund ta shpjegojë gjendjen e Shqipërisë me biografitë e 45 protestuesve. Gjatë këtyre viteve ka qenë ai që ka drejtuar qeverinë, ka zgjedhur ministrat, ka emëruar drejtuesit e institucioneve dhe ka pasur përgjegjësinë për funksionimin e shtetit.
Sot kryeministri tregoi se njeh me hollësi precedentët penalë të njerëzve që kërkojnë largimin e tij. Do të kishte qenë shumë më mirë për Shqipërinë sikur të kishte treguar të njëjtin kujdes për të njohur njerëzit që ka zgjedhur për të drejtuar institucionet shtetërore.
Pas gjithë këtyre viteve në pushtet, Edi Rama duhet të japë llogari për njerëzit që ka emëruar në qeverisje dhe jo për njerëzit që kanë dalë në shesh për t’i kërkuar dorëheqjen.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.