🌤️
Tiranë 26°C · Kryesisht kthjellët 24 May 2026
S&P 500 7,473 ▲0.37%
DOW 50,580 ▲0.58%
NASDAQ 26,344 ▲0.19%
NAFTA 96.60 ▲0.26%
ARI 4,523 ▼0.42%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1601 EUR/GBP 0.8642 EUR/CHF 0.9119 EUR/ALL 95.3544 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.4217 EUR/TRY 53.0482 EUR/JPY 184.65 EUR/CAD 1.6016 EUR/USD 1.1601 EUR/GBP 0.8642 EUR/CHF 0.9119 EUR/ALL 95.3544 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.4217 EUR/TRY 53.0482 EUR/JPY 184.65 EUR/CAD 1.6016
₿ CRYPTO
BTC $76,825 ▲ +3.27% ETH $2,121 ▲ +4.82% XRP $1.3604 ▲ +3.97% SOL $86.4200 ▲ +5.7%
S&P 500 7,473 ▲0.37 % DOW 50,580 ▲0.58 % NASDAQ 26,344 ▲0.19 % NAFTA 96.60 ▲0.26 % ARI 4,523 ▼0.42 % S&P 500 7,473 ▲0.37 % DOW 50,580 ▲0.58 % NASDAQ 26,344 ▲0.19 % NAFTA 96.60 ▲0.26 % ARI 4,523 ▼0.42 %
EUR/USD 1.1601 EUR/GBP 0.8642 EUR/CHF 0.9119 EUR/ALL 95.3544 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.4217 EUR/TRY 53.0482 EUR/JPY 184.65 EUR/CAD 1.6016 EUR/USD 1.1601 EUR/GBP 0.8642 EUR/CHF 0.9119 EUR/ALL 95.3544 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.4217 EUR/TRY 53.0482 EUR/JPY 184.65 EUR/CAD 1.6016
24 May 2026
Breaking
Politika

Kryeministri Rama: Forca, asgjë nuk e ndal dot Shqipërinë Europiane!

Kryeministri Edi Rama ka publikuar mëngjesin e kësaj të diele, videomesazhin me “shënimet e tij të javës”, ku ka komentuar zhvillimet më të fundit, mes të cilave miratimin e raportit IBAR.

Duke ironizuar opozitën, Rama tha se ballafaqimi mori kohën e vet, ndërkohë që “molotovarët e Tiranës” përhapnin negativitet dhe digjnin kryeqytetin përmes protestave të tyre.

“Por, ashtu siç dhe dihej, shënimi i shënimeve është ai që lidhet me ballafaqimin mes Komisionit Europian dhe shteteve anëtare në Bruksel, për raportin e detyrave të kryera nga Shqipëria pas çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave. Ai ballafaqim mori kohën e vet, në ndërkohë që “molotovarët” e Tiranës u lëshuan të dëshpëruar në një ofensivë të pashoqe energjie negative, u lëshuan rrugëve për ta djegur medoemos Shqipërinë në sytë e botës, gëzonin si fëmijët kur fotot e kazanëve me flakë apo të molotovëve e flakadanëve që hidheshin nëpër Tiranë bënin xhiro në median e botës. Mblidh benzinë e hidh bombë artizanale me vandalë të paguar, u lëshuan po ashtu kanaleve e portaleve të Shqipërisë për t’i helmuar shqiptarët. Mblidh e hidh jargë urrejtjeje politike, pasqyrë më pasqyrë, u lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi proverbial krejt edhe ajo çka ndodhi me të ashtuquajturën vizitë treditore në Ministrinë e Jashtme në Berlin.

Në fakt, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e partnerëve tanë, kudo ku ishte e mundur, mblidhu e hidhu lart e poshtë për të kërkuar ndëshkim, bllokim, izolim për Shqipërinë, duke lënë kokrrën e namit si asnjë opozitë tjetër në historinë e integrimeve europiane të vendeve që sot janë pjesë e Bashkimit Europian apo synojnë të bashkohen me të. Thanë se rruga europiane ishte e bllokuar, thanë se Shqipëria ishte më në fund e ndëshkuar, thanë se qeveria jonë ishte krejt e izoluar. U gënjyen, u gënjyen, se gjithnjë nga ajo mendja e tyre e cekët dhe e mbrapshtë dhe, në fund, në fund, humbën me turp dhe Shqipëria fitoi përsëri me mund, me dinjitet dhe me krenari. Kështu, më 26 maj, në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Europian vulos përmbylljen me sukses të fazës hyrëse dhe hap fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kemi ngjitur një tjetër lartësi të vështirë drejt majës, ku do të arrijmë me çdo kusht brenda kësaj dekade dhe ku do të vendosim flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit aty, në oborrin e shtëpisë së madhe të Europës së Bashkuar.”, u shpreh kryeministri.

Më pas ai foli edhe për planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Nga ky plan Shqipëria përfiton një fond prej 49 milionë eurosh.

“Tjetër mbështetje financiare e Bashkimit Europian ka ardhur nga Brukseli, ndërsa është vendosur çelja e fazës përmbyllëse të negociatave, është njëkohësisht vijuar edhe me çeljen e një tjetër fondi për Shqipërinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. 49 milionë euro, të cilat e çojnë mbështetjen deri këtu në 212 milionë euro, ose shifra më e lartë e përftuar nga vendet e rajonit prej Planit të Rritjes. Plani i Rritjes është një plan financimi mbi bazë rezultatesh dhe janë rezultate të certifikuara nga Komisioni Europian, të padiskutueshme në objektivitetin e tyre, sepse, ndryshe nga sa e përflasin ditë e natë ata që në fund gjithmonë humbasin, Shqipëria jonë, Shqipëria europiane që po ndërtojmë, është një histori suksesi, një histori që nuk shkruhet me britma, nuk bëhet me shpifje apo me molotovë, por me vizion, me punë, me durim të madh dhe me përkushtim hap pas hapi, reformë pas reforme.

E pra, urime të gjithëve dhe, mbi të gjitha, faleminderit! Faleminderit çdo shqiptari dhe shqiptareje që beson, që mbështet dhe që ecën me ne në këtë mision historik. Forca! Forca! Shqipëria, asgjë nuk e ndal dot Shqipërinë europiane!”, theksoi kryeministri.

Këto komente Rama i bëri nga Tokio, ku ndodhet prej disa ditësh në një vizite zyrtare, pas një tjetër ndalese të rëndësishme që kishte bërë në Korenë e Jugut.

Kështu, as turi i tij në këto dy vende aziatike nuk mbeti pa u komentuar.

“Përshëndetje nga Tokio, prej ku, mu përpara nisjes për në Shqipëri, po regjistroj këto shënime pas një jave domethënëse për Shqipërinë, për mënyrën se si vendi ynë rritet në marrëdhëniet ndërkombëtare. Natyrisht, jo në përmasë, por në shkallën e respektit dhe të vlerësimit për dinjitetin me të cilin ndërveprojmë në komunitetin e shteteve.

Fillimisht, në Korenë e Jugut dhe më pas në Japoni, ishin dy stacione ku gjetëm një interes të shtuar për Shqipërinë, një dëshirë të lexueshme për bashkëpunim dhe për forcim të miqësive të natyrshme mes vendeve demokratike. Në Konferencën Aziatike të Lidershipit pata rastin të flas si i ftuar nderi, me një përfaqësi të gjerë të komunitetit ekonomik të kësaj pjese të zhvilluar të botës. Fola për transformimet e mëdha të Shqipërisë, nga izolimi drejt bashkimit me Europën dhe, më pas, në takimin me kryeministrin Kim Min-seok, u ndalëm në mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në inteligjencë artificiale, teknologji dixhitale, industri ushtarake dhe turizëm, duke cekur po ashtu simbolikën e takimit që përkon me 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona. Aty takuam gjithashtu një sërë kompanish të mëdha, prestigjioze, ku konstatuam një interes gjenuin për Shqipërinë, si shembull suksesi dhe si destinacion investimesh të mundshme. Më pas, këtu në Tokio, vizita e konfirmoi rritjen e nivelit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Japonisë. Ishte vërtet një nder i veçantë pritja me ceremoninë e lartë shtetërore nga kryeministrja Sanae Takaichi, me të cilën krijuam menjëherë një komunikim të drejtpërdrejtë dhe miqësor. Diskutuam zgjerimin e bashkëpunimit në ekonomi, në teknologji, në energji, mbrojtje dhe, po ashtu, edhe këtu, në turizëm.

Siç u theksua më pas nga kryeministrja në statusin e saj, mbështetja e Japonisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk ishte thjesht një mesazh formal, por një shprehje e respektit të Japonisë për suksesin tonë në rrugën e transformimit historik të shtetit shqiptar, në një shtet vibrant, demokratik dhe në zhvillim të vazhdueshëm e të qëndrueshëm. Ishte kënaqësi dhe nder më vete edhe ftesa për të folur në Universitetin e Kombeve të Bashkuara në Tokio, ku ndava me studentë, diplomatë dhe akademikë historinë e transformimit të Shqipërisë, fazën ku ndodhet sot procesi i negociatave me Bashkimin Europian, si dhe pikëpamjet tona për të ardhmen e Europës së përbashkët. Të mbushura me energji pozitive ishin edhe takimet me strukturat e parlamentit, kryeparlamentarin e Japonisë, deputetët e Ligës së Miqve të Shqipërisë, si edhe me komunitetin e sipërmarrjes japoneze. Por besoj se ajo që ka rëndësi, mbi të gjitha, është fakti se sot Shqipëria ka hyrë krejt natyrshëm në hapësira dialogu dhe partneritetesh, ku deri jo shumë vite më parë do të ishte vërtet e vështirë edhe të imagjinohej respekti që ka sot bota për vendin tonë.”, tha Rama.

Lajmi në përditësim…

/tvklan.al

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.