Kryetari i KLSH-së në Komisionin hetimor për CEZ: U Keqmenaxhua me qëllim
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit Bujar Leskaj mbylli dëshminë e tij para Komisionit Hetimor për rimarrjen në pronësi të shtetit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, pas zotërimit nga kompania CEZ.
Leskaj deklaroi se nuk ka dokumentacion për destinacionin e kredive të marra nga CEZ Shpërndarje, ndërkohë që këto të fundit më pas u morën përsipër për t’u paguar nga shteti shqiptar pas nënshkrimit të marrëveshjes së mirëkuptimit me palën çeke.
Sipas KLSH-së muajt e fundit që Operatori i Shpërndarjes ishte nën administrimin e CEZ, u keq menaxhua me qëllim.
Pas kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit radhën për të dëshmuar para Komisionit Hetimor, e kanë ministrat që firmosën marrëveshjen me çekët, Gjiknuri, Cani dhe Ahmetaj. Edhe zyrtarë të tjerë që e kanë drejtuar Ministrinë e Energjetikës nga 2013 e në vazhdim do të dëshmojnë gjithashtu.