“Kuqezinjtë” në sprintin final drejt Francë 2016
Sot në mbrëmje Shqipëria do të fillojë sprintin final të ndeshjeve më të rëndësishme të këtyre eliminatoreve të Europianit Francë 2016-të, për ëndrrën e madhe të kualifikimit.
Në Kopenhagen “Kuqezinjtë” do të përballen me Danimarkën, si rivalja direkte e kombëtares sonë për të siguruar një kualifikim direkt pa play off. Edhe pse në gjendje psikologjike shumë të mirë, nisur edhe nga pikët e marra me Serbinë, kundërshtari mbetet i një niveli shumë të lartë.
Vështirësitë e mëdha për skuadrën tonë mbeten mungesat në mbrojtje, si Mavraj apo Hysaj, por edhe gjëndja jo optimale e disa prej lojtarëve të formaconit.
Megjithatë, trajneri italian De Biazi, duket se ka vendosur të luajë me një formacion mbrojtës në Danimarkë 4-5-1. Në repartin e mbrotjes mungesa e dy titullarëve ka sjellë aktivizimin e dy lojtarëve të rinj, Ajeti i cili debutoi me Francën në miqësore dhe Xhimshiti, që debuton për kuqezinjtë në këtë ndeshje menjëherë me aktivizim në 11-shen e parë.
Në mesfushë situata duket disi më normale, nisur nga aktivizimi i lojtarëve që kanë luajtur gjithmonë si Kukeli, Xhaka, Abrashi, më pas në krahun e majtë Lenjani, ndërsa në të djathtin mendohet se do ta nisë lojën Shkelzen Gashi. Të dy këta lojtarë krahu do të jenë në ndihmë të sulmuesit të vetëm që është Cikalleshi.
Ndeshja e parë me Danimarkën në “Elbasan Arena” përfundoi në barazim 1-1, ndërkohë që pas 4 ndeshjesh me 3 fitore dhe një barazim Shqiperia ndodhet në kuotën e 10 pikëve në vendin e tretë bashkë me Danimarkën, që ka një ndeshje më shumë.
Si gjithmonë, ndeshjen mes Danimarkës dhe Shqipërisë do të keni mundësi ta ndiqni drejpërtdrejtë në paketën SuperSport të platformës Digitalb falas, duke filluar nga ora 20:00.