Kur agresorët serbë shkruanin dosjen në Hagë, shqiptarët flinin mbi dafina
Nga Adri Nurellari
Ky shkrim qëndronte i përgatitur si draft në kompjuterin tim prej disa ditësh, ndërkohë që refuzoja ta besoja se do të më duhej ta botoja në këtë version kaq të zymtë. Fatkeqësisht, dënimi i sotëm i katër krerëve të UÇK-së në Hagë vërtetoi edhe frikën më të skajshme timen se drejtësia ndërkombëtare kapitulloi para tendenciozitetit politik dhe revizionizmit historik. Shpresoja deri në minutën e fundit, që arsyeja juridike, standardet universale të së drejtës perëndimore dhe e vërteta e pakontestueshme e një lufte mbijetese të triumfonin mbi inxhinierinë politike. Porse, dënimi i sotëm i të katërtve; Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit; nga Dhomat e Specializuara në Hagë i dha fund çdo iluzioni. Ky vendim nuk shënon triumfin e drejtësisë, por vulosjen përfundimtare të një tendencioziteti të thellë politik të një mekanizmi që lindi i shtrembër, mbi premisa të rreme, veproi në kundërshtim me standardet evropiane të procesit gjyqësor dhe përfundoi si një instrument revizionizmi historik.
Ky aktgjykim nuk është një rrufe në qiell të hapur, por finalja e paralajmëruar e një procesi që qëndron mbi themelet e shkeljeve të rënda procedurale dhe kompromiseve gjeopolitike. Për pothuajse gjashtë vjet me radhë, katër figurat qendrore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shtetndërtimit të saj u mbajtën në paraburgim pa një vendim të shkallës së parë, me gjyqin që nisi vetëm dy vjet e gjysmë pas arrestimit. Kjo zvarritje shkatërroi parimin themelor të prezumimit të pafajësisë dhe nenin 5(3) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke e kthyer vetë procedurën në ndëshkim administrativ. Aq më tepër kur refuzimi i përsëritur i garancive të ofruara nga shtete sovrane evropiane për lirim me kusht u bë mbi baza tërësisht abstrakte.
Megjithatë, skandali më i madh i kësaj gjykate qëndron te zanafilla e saj gjeopolitike. Gjykata Speciale nuk lindi nga ideali i drejtësisë ndërkombëtare, por si një operacion i mirëfilltë i diplomacisë dhe inteligjencës ruse, i ideuar dhe i udhëhequr nga Konstantin Kosachev, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Dumës ruse dhe kreu i delegacionit rus në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ishte pikërisht iniciativa zyrtare e Kosachevit ajo që vuri në lëvizje mekanizmin e Këshillit të Evropës, duke shfrytëzuar një mjedis institucional thellësisht të depërtuar nga lobimi dhe influenca ruse nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm Thorbjørn Jagland, për ta delegjitimuar shtetësinë e Kosovës dhe ndërhyrjen e NATO-s.
Kjo intrigë e Moskës u paketua përmes raportit famëkeq të Dick Marty-t dhe trillimeve makabre për “trafikim organesh” në të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë”. Por goditja fatale Kosovës nuk i erdhi nga Moska; i erdhi nga konjuktura e pamëshirshme e Uashingtonit. Administrata e Presidentit Barack Obama, e prirur të siguronte me çdo kusht marrëveshjen bërthamore me Iranin (JCPOA) dhe të shmangte përplasjet e drejtpërdrejta me Rusinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e përdori Kosovën si monedhë shkëmbimi gjeopolitik. Prishtinës iu vu thika në fyt me një ultimatum të egër: ose votoni vetë themelimin e Gjykatës Speciale përmes ndryshimeve kushtetuese, ose Rusia do të kalojë një rezolutë nën Kapitullin VII të Kartës së OKB-së për të krijuar një tribunal ndërkombëtar ku SHBA nuk do të vinte veton. Kosova u detyrua të vetëgjykohej për llogari të një pazari global mes fuqive të mëdha. Dhe kur erdhi dita e ballafaqimit ligjor, e gjithë fabula mbi të cilën u shantazhua një komb i tërë u avullua sepse në aktakuzën përfundimtare nuk mbeti asnjë germë e vetme për trafikim organesh. Në vend të saj, prokuroria ricikloi doktrinën elastike të “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale” për të kriminalizuar një lëvizje guerile, asimetrike dhe të decentralizuar mbijetese. Dënimi i sotëm përbën një përpjekje të rrezikshme për të kriminalizuar vetë strukturën e rezistencës çlirimtare dhe, në mënyrë të pashmangshme, për të njollosur legjitimitetin e ndërhyrjes së NATO-s më 1999 dhe doktrinën ndërkombëtare të ndërhyrjes humanitare.
Megjithatë, faji për këtë katastrofë kombëtare nuk qendron vetëm në Hagë e kryeqytetet perëndimore, por përgjegjësia është edhe në Prishtinë dhe Tiranë. Ne u përballëm me një gjykatë ndërkombëtare duke qenë një komb pa arkiv, pa memorie të institucionalizuar, pa diplomaci publike dhe pa strategji shtetërore, përballë një agresori që zbriti në fushën e betejës juridike me një makineri të mirëvajtur tridhjetëvjeçare. Teksa në Prishtinë e Tiranë historia trajtohej si folklor përvjetorësh ose si municion për sherrin elektoral të ditës, Beogradi e ngriti doktrinën e revizionizmit në nivel të sigurisë kombëtare qysh me nisjen e shpërbërjes së Jugosllavisë. Që në vitin 1992, përmes një ligji të posaçëm parlamentar, Serbia themeloi Muzeun shtetëror të Viktimave të Gjenocidit duke krijuar bazën e parë të centralizuar kërkimore për prodhimin e dosjeve me peshë ligjore dhe politike.
Në prapavijë të këtij aparati nuk qëndronin nisma amatore apo dëshira vullnetarësh, por krejt infrastruktura shtetërore: Arkivi Ushtarak i Forcave të Armatosura Arkivi Shtetëror i Jugosllavisë, Instituti i Historisë Bashkëkohore, Akademia e Shkencave (SANU) dhe shërbimet inteligjente (DB, më vonë BIA). Kjo makineri përgatiti qysh në vitet 1998–2000 “librat e bardhë” mbi të ashtuquajturat krime të separatizmit shqiptar, i përktheu në mënyrë metodike në anglisht dhe frengjisht, i shpërndau në bibliotekat kryesore akademike të Perëndimit dhe ushqeu me dekada çdo kanal ndërkombëtar (nga dosjet e Tribunalit të ICTY-së te raporti i Dick Marty-t dhe fletët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar). Serbia financoi monografi shkencore, katedra kërkimore dhe botime me recensë ndërkombëtare, duke krijuar një monopol interpretues që një lëvizje guerile mbijetese tentonte ta vishte me petkun e një sindikate të dhunshme.
Popujt me vetëdije shtetërore e dinë se kujtesa historike ruhet vetëm përmes institucionalizimit global. Armenët kanë ngritur një rrjet arkivash, institutesh dhe katedrash universitare (si në UCLA) nga Jerevani në Uashington e Paris, duke regjistruar plot 327 memoriale në 45 shtete. Ukrainasit e shndërruan tragjedinë e Holodomorit në një çështje të njohur parlamentare ndërkombëtare përmes muzeve kombëtare dhe konsorciumeve kërkimore në universitetet e Albertës dhe Harvardit. Ngjashëm, Ruanda e ktheu kujtesën e saj në politikë zyrtare shtetërore përmes qendrave studimore universitare, duke kulmuar me përfshirjen e katër memorialeve të saj kryesore (Nyamata, Murambi, Gisozi dhe Bisesero) në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s.
Shqiptarët, ndërkaq, vazhdojnë të mbështeten te bindja naive se e vërteta historike do të njihet vetvetiu. Përballë organizimi intensiv shtetëror serbo-rus, bota shqiptare shfaqi një shkretëtirë tronditëse institucionale. Për një çerek shekulli, Kosova nuk arriti të ndërtonte një arkiv të vetëm të konsoliduar kombëtar sipas protokolleve shkencore ndërkombëtare. Barra e dokumentimit të viktimave dhe të zhdukurve nuk u mor përsipër nga shteti sovran, por iu delegua një organizate joqeveritare si Fondi për të Drejtën Humanitare. Instituti publik për Hulumtimin e Krimeve të Luftës u mbyll pa lavdi me vendim administrativ në vitin 2018 dhe mbeti i vdekur për pesë vjet me radhë, duke u ringjallur me ligj vetëm në fund të vitit 2023; pikërisht pasi hetimet e Hagës kishin përfunduar dhe dosjet e akuzës ishin blinduar.
Dëshmitë u lanë të shpërndara në sirtarë privatë, arkivat e brigadave u fshehën apo u asgjësuan nga frika dhe mosbesimi, ndërsa Tirana zyrtare nuk gjeti kurrë kurajën të ngrinte një institut kërkimor apo një pavijon të përhershëm kombëtar për krimet e kryera ndaj shqiptarëve në shekullin XX. Në këtë asimetri dramatike, katër udhëheqësit e UÇK-së zbritën në sallën e gjyqit të zhveshur nga mburoja e shtetit të tyre: përballë prokurorëve që lexonin dosjet e përpiluara me përpikëri nga arkivistët e Beogradit, ata duhej të rindërtonin nga qelia e paraburgimit, me dëshmi individuale dhe memorie të fragmentuar, realitetin e një lufte asimetrike që shteti i tyre nuk u kujdes kurrë ta shkruante me gjuhën që kupton drejtësia ndërkombëtare.
Kosova dështoi të ndërtonte këtë mbrojtje sepse u helmua nga autokannibalizmi i brendshëm politik dhe dritëshkurtësi strategjike. Për një çerek shekulli, lufta çlirimtare nuk u trajtua si konsensus themeltar i shtetësisë, por si fishekzjarr elektoral për pushtet ditor. Një pjesë e udhëheqjes e privatizoi meritën çlirimtare, duke e përdorur sakrificën kombëtare si mburojë morale ndaj keqqeverisjes, korrupsionit dhe fryrjes së listave të veteranëve. Nga ana tjetër, për të thyer këtë monopol pushteti, rivalët politikë ranë në grackën shkatërruese të demonizimit të vetë UÇK-së: në vend që të godisnin korrupsionin administrativ, ata filluan të portretizonin vetë lëvizjen çlirimtare si një ndërmarrje kriminale, duke prodhuar dosje, akuza dhe dëshmi që pëshpëriteshin në zyrat e ambasadorëve perëndimorë. Krijimi i Gjykatës Speciale u mirëprit në heshtje nga segmente të politikës si një dhomë spastrimi e jashtme për të hequr qafe rivalët që nuk mposhteshin dot me votë. Prokurorët në Hagë nuk kishin nevojë të lodheshin; atyre iu desh thjesht të mblidhnin helmin që elitat tona derdhnin mbi njëra-tjetrën në Kuvend dhe në studio televizive.
Kjo miopi u plotësua nga provincializmi cinik i Tiranës zyrtare. Për dekada me radhë, elita politike në Shqipëri operoi me llogarinë se mosproblematizimi i së shkuarës shitet si pjekuri rajonale, duke tregtuar kujtesën për të blerë mbështetje politike afatshkurtër nga ndërkombëtarët. Shteti shqiptar projektoi me zell Muzeun “Besa” në Vlorë kushtuar shpëtimit fisnik të hebrenjve; një akt padyshim i ndritur që meriton përkujtim, por që ekspozon hipokrizinë ulëritëse shtetërore. Faktikisht Shqipëria investon aty ku del si shpëtimtare e lavdëruar nga bota, por refuzon të ngrejë qoftë edhe një institut apo pavijon kombëtar për tragjeditë tona kombëtare. Shqipëria nuk ka as muze apo pavijon të përhershëm që të trajtojë në mënyrë të plotë përvojën e shqiptarëve nën Jugosllavi dhe Serbi; dëbimet e viteve 1877–1878, nga Nishi, masakrat e Luftërave Ballkanike, kolonizimin, shkëmbimin e popullsisë jugore pas Marrëveshjes së Lozanës, reformën agrare, spastrimin e Ccamërisë, shpërnguljet drejt Turqisë, masakrën e Tivarit, represionin e Rankoviqit, demonstratat e vitit 1981, heqjen e autonomisë dhe krimet e viteve 1998–1999. E gjithë kjo trashëgimi spastrimi shtetëror fshihet nën rrogoz nga elita politike e Tiranës, e cila ka zgjedhur vetëcensurën nga frika se mos prish fasadën e rreme të stabilitetit rajonal dhe komoditetin diplomatik me fqinjët.
Ky kapitullim i kujtesës i heq Kosovës armën më të fuqishme strategjike në marrëdhëniet ndërkombëtare. E kaluara e dhimbshme nuk duhet të shërbejë kurrë thjesht si një mburojë reaktive nëpër gjyqe; ajo duhet të jetë themeli i ofensivës sonë diplomatike. Në dialogun me Serbinë, heqja dorë nga një arkiv shtetëror i krimeve të luftës u dha hapësirë ndërmjetësve ta kthejnë procesin në një barazi artificiale morale mes dy palëve. Kujtesa e dokumentuar institucionalisht duhet të rivendosë kushtëzimin politik; normalizimi nuk mund të ekzistojë pa njohjen e fajësisë, pa dëmshpërblimet e luftës, pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe pa kthimin e fondeve e artefakteve të grabitura nga Beogradi. Po ashtu, në betejën për njohje ndërkombëtare dhe anëtarësim në OKB, Këshill të Evropës e UNESCO, dokumentimi rigoroz i gjenocidit dhe spastrimit etnik mbetet argumenti thelbësor ligjor për legjitimitetin e shtetësisë së Kosovës si e drejtë e patjetërsueshme për mbijetesë.
Kritika ndaj këtij aktgjykimi nuk buron nga ndonjë frymë antiamerikane apo refuzim i orientimit euroatlantik, dhe aq më pak nga harresa e faktit historik se ndërhyrja e NATO-s më 1999 e shpëtoi popullin e Kosovës nga shfarosja fizike. Përkundrazi, kjo kritikë është mbrojtja më e mirëfilltë e vetë vlerave perëndimore. Drejtësia e ushtruar në emër të botës së lirë nuk mund të funksionojë me standarde të deformuara selektiviteti, duke sakrifikuar proporcionalitetin, barazinë e palëve dhe procesin e rregullt ligjor. Aleanca nuk kërkon nënshtrim të verbër, partneriteti nuk matet me konformizëm provincial, ndërsa mirënjohja e thellë historike ndaj çlirimtarëve tanë nuk nënkupton kurrë kapitulim të gjykimit kritik apo heshtje përballë një kompromisi cinik gjeopolitik.
Mbi të gjitha, në procesin e integrimit euroatlantik, Kosova nuk duhet të trokasë në dyert e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s si një lypëse e mëshirës gjeopolitike. Pranimi i përshpejtuar i saj në strukturat perëndimore nuk është lëmoshë; ai përbën një shpagim të vonuar moral dhe politik ndaj indiferencës, hezitimit dhe shpeshherë pjesëmarrjes direkte të Fuqive të Mëdha në tragjedinë historike shqiptare. Që nga Kongresi i Berlinit më 1878 dhe Konferenca e Londrës më 1913 (kur tokat shqiptare u copëtuan për të ngopur orekset e monarkive greko-sllave) e deri te vendosja e embargos absurde të armëve në vitet ’90 dhe tolerimi i gjatë i regjimit të Millosheviqit, fati i Kosovës u cënua rëndë nga kompromiset cinike evropiane. Integrimi në BE dhe mbrojtja nën çadrën e NATO-s janë akti i domosdoshëm i drejtësisë restauruese për këtë borxh historik që Perëndimi ia ka këtij populli, por kjo kërkesë nuk mund të arkëtohet diplomatikisht pa një arkiv rigoroz që e shndërron kujtesën nga vajtim folklorik në argument gjeostrategjik.
Tashmë që goditja ra, pësimi duhet domosdoshmërisht të na bëhet mësim. Aktgjykimi i sotëm është vetëm vendimi i shkallës së parë; disfata bëhet e pakthyeshme vetëm nëse dorëzohemi para fatalizmit apo shpërthejmë në dëshpërim folklorik. Shembulli se si vepron një shtet i pjekur përballë një katastrofe të tillë juridike është i shkruar qartë në historinë e Kroacisë. Kur më 15 prill 2011 Tribunali i Hagës dënoi gjeneralin Ante Gotovina me 24 vjet burg dhe Mladen Markač me 18 vjet për ndërmarrje të përbashkët kriminale gjatë Operacionit “Stuhia”, i gjithë kombi kroat u gjend në një shok të thellë moral. Por Kroacia nuk u mbyll në vajtim dhe as nuk filloi të gëlltiste njollosjen e luftës së saj çlirimtare. Përkundrazi, ai dënim drastik shërbeu si alarmi suprem që vuri në lëvizje të gjithë makinën shtetërore, shkencore dhe diplomatike të vendit.
Midis prillit 2011 dhe nëntorit 2012, qeveria kroate, përmes Qendrës Memoriale-Dokumentuese të Luftës për Atdheun, akademisë dhe institucioneve të sigurisë, nuk ushtroi presion politik mbi gjykatën, por ndërtoi një kundërsulm madhor shkencor e ligjor për shkallën e dytë. Zagrebi punësoi juristët më të mprehtë ndërkombëtarë, mobilizoi ekspertët kryesorë botërorë të artilerisë dhe balistikës për të analizuar çdo predhë të rënë në Knin, dhe solli dëshmi të pakundërshtueshme dokumentare që provonin se standardi i “margjinës së gabimit prej 200 metrash” i vendosur nga trupi gjykues ishte një absurditet ushtarak. Më 16 nëntor 2012, Dhoma e Apelit e ICTY-së rrëzoi në themel aktgjykimin e shkallës së parë, shpalli të pafajshëm të dy gjeneralët dhe fshiu përfundimisht etiketën e ndërmarrjes së përbashkët kriminale mbi lirinë kroate. Ai triumf nuk erdhi nga parullat patriotike në sheshe, por sepse një shtet serioz e ktheu pësimin e shkallës së parë në një mësim të organizuar strategjik.
Këtë rrugë dhe këtë model duhet të ndjekin sot menjëherë Kosova dhe Shqipëria. Apeli në Hagë nuk mund t’u lihet në kurriz vetëm avokatëve mbrojtës dhe familjarëve të të dënuarve. Qeveritë në Prishtinë dhe Tiranë, universitetet, Akademia e Shkencave dhe diaspora duhet të braktisin çdo mosmarrëveshje klanore dhe të ngrenë brenda javësh një Task-Forcë Ndërshtetërore Ligjore dhe Shkencore. Duhet të hapen arkivat, të punësohen ekspertët më me zë të së drejtës ndërkombëtare, të dekonstruktohet pretendimi artificial i një komande të ngurtë ushtarake me kontroll territori të UÇK-së dhe t’i vihen përballë Dhomës së Apelit provat e pakontestueshme të një lëvizjeje guerile mbijetese. Dënimi i sotëm është një goditje e rëndë, por fitorja e vitit 1999 nuk mund të zhbëhet me një vendim administrativ. Nëse duam që ky pësim të mos kthehet në një damkë të përhershme historike mbi lirinë e Kosovës, sot duhet të nisë mobilizimi ynë më i madh institucional; koha e fjalëve shterpë dhe folklorizmave mbaroi, tani duhet të flasin shtetet shqiptare me gjuhën e shkencës, diplomacisë, ligjit dhe dinjitetit kombëtar.
Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.