Kur “dashnorët” e natyrës përdoren kundër natyrës
Nga Mero Baze
Disa ditë më parë, një grumbull banorësh të Nikaj-Mërturit u shfaqën të revoltuar si pjesë e frymës së protestës kombëtare për ambientin se qeveria po ndërhynte në lum dhe po bënte tri prita malore. Dukeshin aq të revoltuar sa ishin qartazi të pafajshëm si të manipuluar.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka nisur zbatimin e një projekti për ndërtimin e tri pritave malore në rrjedhën e këtij lumi.
Pritat malore janë struktura inxhinierike që ndërtohen tërthorazi mbi shtratin e lumit dhe shërbejnë si “sita” ose mure bllokuese që kapin këto inerte përpara se ato të përfundojnë në ujërat e liqenit.
Bashkë me aluvionet në Liqenin e Komanit përfundojnë gjithë mbetjet plastike të fshatrave të Nikaj-Mërturit dhe aktivitetit të turizmit, të cilat, duke u hedhur në lum, përfundojnë në Liqenin e Komanit. Çdo vit “të dashuruarit” pas natyrës postojnë foto horror nga Liqeni i Komanit ku mbetjet plastike notojnë në sipërfaqe të liqenit, dhe që një pjesë e tyre vijnë nga lumenjtë dhe përrenjtë malorë që derdhen në liqen.
Një fenomen i ngjashëm shikohet në “lumin e vetëm të egër” të Evropës, në Vjosë. Pasi shirat përfundojnë dhe Vjosa ul nivelin, gjithë Lugina e famshme e Vjosës ngjan si lum indian, nga plastmaset që mbeten në degët e rrënjëve të varura si flamuj të turpit shqiptar për mjedisin.
Banka Botërore e ka dhënë 80 milionë euro në një projekt që të bllokojë derdhjen në Vjosë të gjithë mbeturinave apo ujërave të zeza të lumenjve dhe përrenjve të zonës. Dhe sa më shpejt të bëhet, aq më shpejt do shpëtojmë nga ky turp që e bën lumin më të egër të Evropës si lumin më të ndotur të saj.
Mirë që nuk kemi turp që i kthejmë lumenjtë dhe përrenjtë në kanale ujërash të zeza dhe kosh mbeturinash, por të protestojmë dhe pse këto nuk duhen lejuar të derdhen në det apo liqen, është një turp dhe më i madh, pasi na bën popull primitiv.
Lumi i Currajve zbret nga Curraj i Epërm dhe përshkon luginat e thella dhe pranë fshatit Curraj i Poshtëm, ai bashkohet me Lumin e Nikajve. Pasi kalon përgjatë fshatit Lekbibaj, ai derdhet përfundimisht në Liqenin e Komanit.
Pritat malore të lumenjve janë historikisht masat më pro ambientit që merren në lumenjtë malorë, kundër aluvioneve dhe mbetjeve që përfundojnë në liqen.
Tani të manipulosh një masë të madhe njerëzish në emër të mjedisit, për një projekt shtetëror që është tërësisht pro mjedisit, dhe në favor të turizmit në zonë, do të thotë t’i fyesh ata njerëz duke i trajtuar si budallenj.
Pra merret një kauzë mjedisore dhe përdoret kundër një projekti që ndihmon mjedisin në emër të protestës.
Nëse kundërshtimi ndaj çdo lloj ndërhyrjeje bëhet trend për t’i dhënë kauza të rrema protestës, pa bërë dallim mes një projekti që dëmton natyrën dhe një projekti që synon ta mbrojë atë, atëherë protesta që frymëzon papërgjegjësi të tilla kthehet në një institucion populist pa logjikë që krijon kauza false dhe përpiqet të mbajë gjallë një dogmë që e ka paravendosur se çdo investim përbën rrezik për Shqipërinë.
Populizmi nuk ushqehet me fakte por me konflikte simbolike. Ai ka nevojë për një armik të dukshëm që tani e ka gjetur se është qeveria, ka nevojë edhe për një investim që të ilustrojë planin e veprimit të armikut, ndërsa nuk mban përgjegjësi për pasojat afatgjata të kësaj politike.
Ky është rasti kur kauzat mjedisore përdoren kundër vetë mjedisit.
Nuk e di kush i tall ata burrat dhe gratë që mblidhen në lëndinat e Nikaj-Mërturit në emër të mjedisit duke refuzuar ndërhyrjen që mbron mjedisin. Ata kanë plot arsye të tyre për të qenë kundër qeverisë. Kanë arsye të jenë kundër qeverisë për mungesë rrugësh, dritash apo infrastrukture, kushte favorizuese për turizëm etj., por nuk mund të mblidhen sikur ka rënë gjëma se qeveria po përpiqet të mbrojë Liqenin e Komanit nga prurjet e lumit dhe ndotjen që i shkakton liqenit me aluvione dhe mbetje plastike.
Kjo është një nga gjërat që qeveria e ka për detyrë ta bëjë. Gjatë komunizmit, pritat e përrenjve i bënim me punë vullnetare për të shpëtuar nga erozioni se mbetje plastike nuk kishte. Tani që këtë punë e bën qeveria me fondet e saj, manipulimi i njerëzve për t’i nxjerrë në protestë kundër është një nga strategjitë më të ndyra për ta shkatërruar mjedisin, që është e vetmja pasuri që ka ende ajo zonë.
Uroj që qeveria të mos tërhiqet nga projekti nën presionin e njerëzve të painformuar që “mamadhia” u ka mbushur mendjen se qeveria po u merr lumin. Në fakt lumi është aty, por ai duhet shpëtuar nga erozioni dhe mbetjet e hedhura aty nga njerëzit. Por mbi të gjitha duhet shpëtuar nga “mbetjet e politikës” në protestë, që duan që ai të shkatërrohet dhe të shkatërrojë edhe natyrën. E gjithë kjo në emër të mbrojtjes së natyrës



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.